Agjencia Federale Gjermane e Rrjetit – institucioni përgjegjës për trajtimin e ankesave ndaj platformave online në Gjermani sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së (DSA) – ka marrë dukshëm më shumë ankesa sesa homologët e saj në BE për shkelje të mundshme të rregullave.
Në raportin e saj vjetor të publikuar javën e kaluar, agjencia tha se kishte marrë rreth 842 ankesa për shkelje të mundshme të DSA-së, që janë rregulla të përbashkëta të BE-së për të luftuar përmbajtjen dhe produktet e paligjshme online. Prej tyre, rreth 87 ankesa u përcollën te rregullatorë të tjerë në vende të ndryshme, pasi selia e tyre qendrore në BE është e regjistruar jashtë Gjermanisë.
Në krahasim, Komisioni Kombëtar i Tregjeve dhe Konkurrencës i Spanjës (CNMC) trajtoi vetëm rreth 24 ankesa vitin e kaluar – të gjitha të drejtuara ndaj kompanive të regjistruara në shtete të tjera anëtare. Ndërkohë, instituti homolog belg, Instituti Belg i Postës dhe Telekomunikacioneve (BIPT), raportoi se mori rreth 10 ankesa lidhur me DSA. Shumica e tyre ishin drejtuar ndaj Telegram-it, një platformë mesazhesh me seli në Belgjikë.
Sipas Euronews, në maj Komisioni Europian paditi Çekinë, Qipron, Poloninë, Portugalinë dhe Spanjën në gjykatën më të lartë të BE-së për moszbatimin e duhur të DSA-së. Shtetet anëtare duhet t’i japin rregullatorëve burime të mjaftueshme për të kryer detyrat e tyre, si edhe të hartojnë rregulla mbi penalitetet për shkeljet e DSA-së.
Vështirësitë për transferimin e ankesave
CNMC e Spanjës tha në raportin e saj vjetor se nuk i janë dhënë “të gjitha kompetencat” sipas rregullores, por ka nisur të ushtrojë “funksione të rëndësishme, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar”. Shumica e ankesave spanjolle lidhen me platformat më të mëdha online; shtatë prej tyre tashmë janë përcjellë te koordinatorët në vende të tjera, si Irlanda, Suedia dhe Belgjika, tha rregullatori.
Ndërkohë, Autoriteti Holandez për Konsumatorët dhe Tregjet (ACM) deklaroi në korrik se po has vështirësi në transferimin e ankesave për shkelje të DSA-së te homologët e tjerë në BE.
“Ato nuk mund të transmetohen te Koordinatorët e tjerë të Shërbimeve Dixhitale (DSCs) për shkak të problemeve teknike, si p.sh. mungesa e DSC-ve ekzistuese. Një pjesë e vogël është pezull për shkak të çështjeve administrative; janë kërkuar informacione shtesë nga ankuesi, por ende nuk janë marrë”, thuhet në raport.
Procedurat
Agjencia gjermane tha në raport se vitin e kaluar nisi katër procedura administrative ndaj platformave dhe “mori pjesë aktive” në procedurat e Komisionit Europian kundër AliExpress, Temu, TikTok dhe X.
Komisioni po mbikëqyr zbatimin e DSA-së nga platformat më të mëdha online, me mbi 45 milionë përdorues mesatarë në muaj. Në këtë kategori përfshihen, për shembull, Amazon, Facebook, Instagram, X dhe TikTok.
Ekzekutivi i BE-së ka hapur disa hetime për shkelje të mundshme të DSA-së ndaj dhjetë platformave online, midis të cilave AliExpress, Facebook, Instagram, TikTok, X dhe Temu. Asnjë nga këto hetime nuk është mbyllur ende./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
