Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka konstatuar shkelje në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke vendosur gjoba për nëntë persona përgjegjës për mangësitë e evidentuara gjatë verifikimit administrativ.
Sipas dokumentit “Të dhëna mbi vendimin” me nr. 12, datë 12.03.2026, hetimi administrativ është iniciuar nga vetë APP dhe ka përfshirë verifikimin e dy procedurave prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të klasifikuara si procedura “e kufizuar”.
Nga kontrolli janë evidentuar disa shkelje në zbatimin e legjislacionit për prokurimet në këtë sektor. Konkretisht, APP ka konstatuar se autoriteti kontraktor nuk ka vepruar në përputhje me pikën 6 të nenit 21 të ligjit nr. 36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, si dhe me disa dispozita të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1170, datë 24.12.2020 “Për miratimin e rregullave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”. Shkelja lidhet me dokumentimin dhe argumentimin e përllogaritjes së vlerës limit të kontratës në një nga procedurat e verifikuara.
Gjithashtu është konstatuar se AMP nuk ka respektuar nenin 45 të vendimit të Këshillit të Ministrave, në lidhje me argumentimin e kërkesave të veçanta për kualifikimin e specifikimeve teknike në procedurën e prokurimit që ishte objekt i hetimit administrativ.
Një tjetër shkelje lidhet me moszbatimin e pikës 3 të nenit 44 të ligjit për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që ka të bëjë me vlerësimin dhe dokumentimin e ofertave të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedurë.
Në bazë të nenit 59, pika 1, germa “b” të ligjit për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, APP ka vendosur gjobë për nëntë persona të evidentuar si përgjegjës për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara në vendim.
Vendimi është marrë pas verifikimit të kryer nga APP dhe përbën një nga rastet e kontrollit administrativ mbi procedurat e prokurimit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. /ekofin.al
