Industria e influencer marketing nuk është më thjesht një fenomen i rrjeteve sociale. Ajo është kthyer në një sektor të mirëfilltë të ekonomisë dixhitale globale, me një vlerë që vlerësohet në 32.55 miliardë dollarë në vitin 2025, nga vetëm 1.4 miliardë dollarë një dekadë më parë. Rritja eksponenciale e këtij tregu ka bërë që edhe Bashkimi Evropian të ndryshojë qasjen ndaj influencerëve, duke i konsideruar jo vetëm krijues përmbajtjeje, por aktorë ekonomikë me ndikim të drejtpërdrejtë në sjelljen e konsumatorëve, veçanërisht të të rinjve.
Pikërisht për këtë arsye, Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO) publikoi studimin e parë evropian “Influencers and IP”, i cili analizon mënyrën se si influencerët ndërveprojnë me pronësinë intelektuale, markat tregtare, produktet e falsifikuara, piraterinë dhe inteligjencën artificiale.
Influenceri nuk është më hobi, por biznes
Një nga gjetjet më domethënëse të raportit është profesionalizimi i këtij sektori. Plot 92% e influencerëve në Bashkimin Evropian deklarojnë se gjenerojnë të ardhura nga aktiviteti i tyre, çka tregon se krijimi i përmbajtjes është kthyer në një profesion dhe burim të qëndrueshëm të ardhurash.
Megjithatë, raporti evidenton edhe një fazë të re të zhvillimit të këtij tregu. Vetëm krijimi i përmbajtjes nuk mjafton më. Shumë influencerë po ndërtojnë marka personale, dyqane online dhe produkte të tyre.
Sipas studimit, 30% zotërojnë një markë personale, 18% kanë një dyqan online, ndërsa 18% kanë regjistruar të drejta të pronësisë intelektuale, si marka tregtare apo dizajne industriale.
Këto shifra tregojnë se influenceri modern nuk është më vetëm një promovues produktesh, por gjithnjë e më shumë një sipërmarrës që ndërton biznesin e tij.
Pronësia intelektuale po bëhet aset ekonomik
Raporti nxjerr në pah një lidhje të fortë mes mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe suksesit ekonomik.
Mbi 55% e influencerëve që kanë regjistruar të drejta të pronësisë intelektuale zotërojnë markën e tyre, ndërsa 33% operojnë një dyqan online. Tek influencerët që nuk kanë regjistruar të drejta, këto përqindje bien respektivisht në 24% dhe 14%.
Në praktikë, kjo do të thotë se regjistrimi i markës nuk shihet më vetëm si mbrojtje ligjore, por si një investim që rrit vlerën ekonomike të biznesit personal.
Përgjegjësia ndaj publikut po rritet
Ndryshe nga perceptimi se influencerët promovojnë çdo produkt për interesa financiare, raporti paraqet një panoramë më të balancuar.
96% deklarojnë se ndihen përgjegjës për ndikimin që kanë tek ndjekësit, ndërsa 92% thonë se gjithmonë verifikojnë autenticitetin e markave me të cilat bashkëpunojnë.
Po ashtu, 94% deklarojnë se nuk kanë promovuar produkte të falsifikuara, ndërsa 93% nuk kanë promovuar përmbajtje pirate gjatë 12 muajve të fundit. Ky është një tregues se profesionalizimi i industrisë po shoqërohet edhe me standarde më të larta etike.
Inteligjenca artificiale po ndryshon profesionin
Një kapitull i rëndësishëm i raportit i kushtohet inteligjencës artificiale.
Sot një në dy influencerë përdor mjete të AI-së në punën e përditshme. Shumica i shohin ato si një mundësi për të organizuar më mirë fushatat dhe për të rritur performancën, por njëkohësisht shfaqin shqetësime serioze për përdorimin e paautorizuar të përmbajtjes së tyre.
Rreth 47% kanë frikë se përmbajtja e tyre mund të ripërdoret nga AI në favor të të tjerëve, ndërsa 72% janë të vetëdijshëm për rreziqet që inteligjenca artificiale mund të sjellë ndaj të drejtave të pronësisë intelektuale.
Për këtë arsye, Bashkimi Evropian po vendos gjithnjë e më shumë rregulla që kërkojnë transparencë kur përdoret inteligjenca artificiale në krijimin e përmbajtjes.
Evropa po ndërton një treg të rregulluar
Ndryshe nga vitet e para të rrjeteve sociale, influenceri sot nuk konsiderohet më një aktivitet informal.
Raporti evidenton se disa vende kanë filluar tashmë të miratojnë legjislacion specifik. Franca ka vendosur një ligj të dedikuar për aktivitetin e influencerëve, ndërsa Spanja i trajton ata si ofrues të shërbimeve audiovizive në rastet kur zhvillojnë komunikim tregtar. Në nivel evropian, influencerët duhet të respektojnë rregullat për transparencën e reklamave, Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA), Aktin për Inteligjencën Artificiale dhe legjislacionin për pronësinë intelektuale.
Kjo tregon se ekonomia e influencerëve po kalon nga një treg i vetërregulluar në një industri me standarde të qarta ligjore.
Po Shqipëria?
Raporti i EUIPO nuk përfshin Shqipërinë, pasi studimi është zhvilluar vetëm në 27 vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, zhvillimet europiane japin një drejtim të qartë edhe për tregun shqiptar.
Edhe në Shqipëri, influencerët po shndërrohen gradualisht në partnerë të rëndësishëm të bizneseve, sidomos në sektorët e turizmit, modës, kozmetikës, gastronomisë dhe tregtisë elektronike. Megjithatë, ndryshe nga BE-ja, tregu shqiptar vazhdon të operojë pa statistika zyrtare, pa standarde të konsoliduara për transparencën e bashkëpunimeve komerciale dhe pa një kulturë të zhvilluar të mbrojtjes së markave personale.
Dhe jo vetëm kaq, sipas informacioneve të ekofin.al, në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), asnjë influencer nuk e ka të regjistruar emirn e vet. Kanë regjistruar produkte të tyret dhe markat që kanë nxjerrë në treg, por jo emrin e tyre si influencër. Edhe më tej, në Qendrën Kombëtare të Bizniesit (QKB) termi “influencer” nuk është në përshkrimin e aktivitetit, as emërtesa të ngjashme me të. Kjo sipas motorit të kërkimit. Por edhe në emra të veçantë dhe të regjistruar si Person Fizik, sërish influencer nuk është në aktivitetin e tyre.
Tatimet kanë nisur së fundmi një plan kontrolli për tregtinë online, që me gjasë do të prekë një sërë biznesesh që ushtrojnë aktivitet online, në një përpjekje për të normalizuar sektorin. /ekofin.al
