Një raport i detajuar i Shërbimit Social Shtetëror për monitorimin e zbatimit të legjislacionit mbi ndihmën ekonomike ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh dhe parregullsish në mënyrën si njësitë vendore kanë aplikuar dhe zbatuar skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike në disa bashki të vendit. Sipas gjetjeve, një numër i konsiderueshëm familjesh janë përfshirë në listat e përfituesve pavarësisht se jetojnë në kushte të mira ekonomike, apo kanë të ardhura të padeklaruara nga puna, emigracioni apo aktivitetet bujqësore.
Moszbatim i procedurave ligjore dhe verifikimeve në terren
Sipas raportit, shkeljet kanë ardhur kryesisht si pasojë e mosnjohjes së plotë të legjislacionit nga administratorët shoqërorë dhe mungesës së verifikimeve reale social-ekonomike. Në shumë raste, gjendja e pasqyruar në formularët e aplikimit nuk përputhej me situatën faktike të familjeve përfituese, duke sjellë përfitime të padrejta në kundërshtim me ligjin nr. 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë”.
Gjithashtu, janë konstatuar mosdeklarime të të ardhurave nga puna informale, sezonale apo emigrimi, si dhe mungesë e regjistrimit të personave në moshë pune (18–55 vjeç) pranë zyrave të punës. Një tjetër formë abuzimi është ndarja fiktive nga trungu familjar për të përfituar më shumë mbështetje, ndërsa familjet vijojnë të jetojnë në të njëjtën strehë.
Qarqet me më shumë raste abuzimi
Task Forca ka evidentuar disa qarqe si më problematiket në raport me përfitimet e pajustifikuara:
• Qarku Korçë rezulton me 9% të familjeve që nuk duhej të ishin përfituese të ndihmës ekonomike. Bashkia Pogradec është identifikuar si një nga njësitë më problematike, me numrin më të lartë të përfituesve në qark. Raporti thekson se Pogradeci, si zonë kufitare, turistike dhe bujqësore, ka mundësi të shumta punësimi, çka e bën të pajustifikuar përfshirjen e shumë familjeve në skemë.
• Qarku Elbasan ka 8% të familjeve të verifikuara që nuk duhej të përfitonin ndihmë ekonomike. Shumë prej tyre jetojnë në kushte të mira jetese dhe sigurojnë të ardhura nga emigrimi ose puna sezonale. Njësitë më problematike janë Rrajcë dhe Qukës (Prrenjas), Gjocaj (Peqin), Polis (Librazhd) dhe Shushicë (Elbasan).
• Qarku Dibër renditet me 5% të familjeve që përfitojnë padrejtësisht, kryesisht për shkak të të ardhurave të padeklaruara nga puna jashtë vendit apo sezonaliteti. Njësitë më me risk janë Maqellarë, Kastriot dhe Tomin (Bashkia Dibër), si dhe Gjoricë (Bashkia Bulqizë). Këto zona përbëjnë rreth 30% të familjeve përfituese në të gjithë qarkun.
Fenomeni i mungesës së anëtarëve madhorë dhe përfitimet dytësore
Një tjetër fenomen i vënë re nga Task Forca është mungesa e anëtarëve madhorë në familjet e verifikuara, për shkak të emigrimit apo angazhimeve sezonale. Në shumë raste, asnjë anëtar madhor nuk është gjetur prezent gjatë verifikimeve, ndonëse familja përfiton ndihmë ekonomike.
Raporti evidenton gjithashtu raste ku përfitimi nga skema është shoqëruar edhe me lehtësime dytësore, si përjashtimi nga pagesat shkollore dhe përfitimi i bursave për studentët, çka ka nxitur familjet me të ardhura të mjaftueshme të aplikojnë për ndihmë ekonomike në mënyrë të padrejtë.
Raporti i Task Forcës kërkon forcim të kontrollit administrativ dhe koordinim më të mirë midis strukturave të ndihmës ekonomike, përmbarimit dhe zyrave të punësimit, me qëllim që mbështetja financiare e shtetit të shkojë vetëm për familjet që realisht ndodhen në vështirësi ekonomike dhe sociale. /ekofin.al
