Programet e mbrojtjes sociale sollën ndihmë konkrete për familjet në varfëri ekstreme në të gjithë vendin.
Gjatë vitit 2024, Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) ka realizuar një prej operacioneve më të mëdha të mbështetjes sociale në dekadën e fundit, duke ndihmuar 6,800 familje në kushte ekstremisht të vështira jetese në të gjithë vendin.
SHSSH u fokusua te mbështetja konkrete për kategoritë më të pambrojtura të shoqërisë, ku asistenca u shtri përgjatë gjithë vitit, por me fokus të veçantë periudhën shtator-dhjetor 2024.
Sipas të dhënave të raportit vjetor, familjet në varfëri ekstreme përfituan ndihma të shumëfishta si paketa ushqimore, bonus qiraje dhe strehim në banesa sociale, restaurime banesash dhe orendi shtëpiake, pajisje ndihmëse për persona me aftësi të kufizuara, si dhe shërbime këshillimi dhe ndihmë juridike falas.
Qarku Tiranë doli më aktiv në mbështetjen e familjeve në nevojë, me mbi 3,900 raste të ndihmuara, ndjekur nga Lezha, Kukësi dhe Gjirokastra, ku u sigurua strehim i përkohshëm, pako ushqimore, materiale shkollore dhe shërbime të drejtpërdrejta në banesë. Në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat partnere, u realizuan mbi 700 restaurime banesash dhe mijëra shpërndarje ushqimore në zonat më të thella të vendit.
“Qasja jonë nuk është thjesht asistencë financiare, por ndërhyrje konkrete në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimin social të familjeve në nevojë,” – u shpreh për ekofin.al Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH, znj. Reme Xholi. “Fokusi ynë ka qenë që asnjë familje në kushte të pamundura ekonomike të mos mbetet pa ndihmë, qoftë për strehim, ushqim apo akses në shërbime.”
Ky operacion i gjerë social është shoqëruar edhe me verifikim të plotë të të dhënave të përfituesve, ndërkohë që janë orientuar me prioritet drejt punësimit anëtarët aktivë të familjeve përfituese.
Në nivel kombëtar, 7755 familje janë identifikuar si në gjendje tejet të vështirë ekonomike dhe për 6,800 prej tyre është siguruar mbështetje e drejtpërdrejtë përmes fondeve publike, donacioneve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Për vitin 2025, SHSSH ka paralajmëruar zgjerimin e programeve të integruara të ndihmës, duke e shndërruar asistencën ekonomike nga një instrument pasiv në një mekanizëm aktiv për integrim social dhe punësim. /ekofin.al
