Në 37 vendet evropiane të përfshira në një studim të ri, djemtë kanë më shumë gjasa se vajzat të raportojnë shëndet të mirë mendor.
Rreth dy në pesë adoleshentë në Evropë po përballen me vështirësi në mirëqenien e tyre mendore, sipas një analize të re, dhe vajzat rezultojnë më keq se djemtë në secilin nga 37 vendet e përfshira.
Sipas raportit, i njohur si Projekti Evropian i Anketës së Shkollës për Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD), të rinjtë sot përballen me një sërë faktorësh stresi, përfshirë izolimin social dhe ndërprerjet në shkollim të shkaktuara nga pandemia COVID-19, si dhe pasiguri socio-ekonomike dhe konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gaza.
Ky studim, që prej 30 vitesh ndjek zakonet e adoleshentëve në lidhje me alkoolin, duhanin dhe drogat, përfshiu afër 114,000 nxënës të moshës 15 dhe 16 vjeç nga 37 vende evropiane.
Për herë të parë në vitin 2024, raporti vlerësoi edhe shëndetin e tyre mendor.
Për të gjurmuar mirëqenien mendore të adoleshentëve, anketa i pyeti nxënësit si po u ecën jeta kohët e fundit; për shembull, sa shpesh ndihen të gëzuar, nëse zgjohen me energji, dhe sa të interesuar janë për jetën e përditshme.
Studiuesit i konvertuan përgjigjet në një indeks vlerësimi; nxënësit që merrnin më shumë se 50 nga 100 pikë në këtë indeks konsideroheshin me mirëqenie të mirë mendore.
Në përgjithësi, 59% e adoleshentëve e kaluan këtë prag. Por kishte ndryshime të mëdha rajonale në të gjithë Evropën: adoleshentët në vendet nordike qëndronin relativisht mirë, ndërsa ata në Evropën Qendrore dhe Lindore ishin më keq.
Adoleshentët në Ishujt Faroe të Danimarkës ishin më të prirur për të raportuar mirëqenie të mirë mendore (77%), të ndjekur nga Islanda (75%) dhe Danimarka (72%).
Ndërkohë, adoleshentët në Ukrainë raportuan shëndetin mendor më të dobët, me vetëm 43% të klasifikuar si me mirëqenie të mirë. Raporti vëren se adoleshentët ukrainas kanë akses të kufizuar në kujdesin për shëndetin mendor, duke i lënë të përballen vetëm me traumat e luftës.
Shkallët më të ulëta pas Ukrainës u regjistruan në: Republika Çeke (46%) Hungari (47%) Qipro dhe Poloni (nga 49%). “Shëndeti mendor është thellësisht i lidhur me mjediset sociale në të cilat rriten të rinjtë,” – u shpreh Kadri Soova, drejtoreshë e grupit të avokimit Mental Health Europe, për Euronews Health. Ajo nuk ka qenë pjesë e këtij studimi.
Diferencat gjinore në të gjithë Evropën
Vajzat ishin në gjendje më të keqe se djemtë në të gjitha 37 vendet e studiuara. Në të gjithë Evropën, 49% e vajzave dhe 69% e djemve raportuan mirëqenie të mirë mendore.
Në disa vende, diferenca gjinore ishte veçanërisht e thellë.
Në Itali dhe Poloni, për shembull, rreth dy të tretat e djemve raportuan mirëqenie të mirë, krahasuar me vetëm një të tretën e vajzave.
Në Suedi, ndonëse niveli i përgjithshëm i mirëqenies mendore ishte relativisht i lartë (62%), kjo maskon një ndarje gjinore të madhe: rreth katër në pesë djem kishin mirëqenie të mirë, krahasuar me më pak se gjysmën e vajzave.
“Rezultatet më të dobëta për vajzat tregojnë nevojën urgjente për reagime të synuara dhe të ndjeshme ndaj kontekstit,” – shtoi Soova.
Një krizë globale, jo vetëm evropiane
Evropa nuk është rajoni i vetëm që përballet me një rritje të problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë. Gjatë dekadës së fundit, sipas një analize të fundit nga revista mjekësore The Lancet, shkalla e çrregullimeve të shëndetit mendor tek të rinjtë është rritur në çdo pjesë të botës.
Soova u bëri thirrje politikëbërësve të investojnë në edukim mbi shëndetin mendor dhe në shërbime mbështetëse të aksesueshme për të rinjtë.
“Duke adresuar si sfidat tradicionale, ashtu edhe ato në zhvillim – nga përdorimi i substancave tek rreziqet online – mund të ndërtojmë mjedise ku çdo adoleshent ka mundësinë të zhvillohet me dinjitet dhe mirëqenie,” – përfundoi ajo. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
