Shoqëritë aksionare shtetërore duket se po kthehen në modelin e preferuar të qeverisë për menaxhimin e sektorëve strategjikë, duke kaluar gradualisht nga struktura klasike administrative drejt entiteteve me logjikë tregu.
Në këtë linjë, është hedhur për diskutim edhe projektligji për krijimin e Shoqërisë Shtetërore të Pyjeve (SHSHP sh.a.), një ndërmarrje me kapital 100% shtetëror që synon të marrë në administrim fondin pyjor të vendit dhe ta menaxhojë atë me një qasje më të centralizuar, profesionale dhe ekonomikisht të orientuar.
Nisma vjen në një moment kur sektori pyjor vlerësohet si një nga më problematikët në administrimin publik, për shkak të fragmentimit institucional dhe mbivendosjes së kompetencave mes institucioneve qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore.
Sipas relacionit shpjegues, mungesa e koordinimit, kapacitetet e kufizuara teknike dhe financiare në nivel vendor, si dhe kontrolli i dobët mbi territorin kanë sjellë një menaxhim joefektiv të burimeve pyjore dhe shfrytëzim të pamjaftueshëm të potencialit të tyre ekonomik.
Projektligji synon pikërisht adresimin e kësaj problematike përmes një centralizimi të funksioneve në një strukturë të vetme. Shoqëria e re do të jetë përgjegjëse për administrimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurisë pyjore shtetërore, ndërsa asetet do të transferohen në administrim të saj pa ndryshuar pronësinë publike. Ky model synon të sjellë një ndarje më të qartë të përgjegjësive dhe një rritje të eficiencës në menaxhim, duke eliminuar mbivendosjet aktuale dhe boshllëqet në kontroll.
Sipas draftit në konsultim, Shoqëria do të funksionojë si një entitet tregtar, me detyrime për plane biznesi, raportim financiar dhe auditim të pavarur, ndërsa njëkohësisht do të mbajë objektiva publike në mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e biodiversitetit. Kjo qasje reflekton një tendencë më të gjerë të përdorimit të instrumenteve të tregut për administrimin e aseteve publike.
Kompetencat e parashikuara janë të gjera dhe shkojnë përtej administrimit klasik të pyjeve. Përveç menaxhimit dhe mbrojtjes së fondit pyjor, shoqëria do të mund të zhvillojë aktivitete ekonomike të lidhura me sektorin, si tregtimi i lëndës drusore, produkteve jodrusore, bimëve medicinale apo edhe përfshirja në mekanizma të rinj financiarë si kreditet e karbonit.
Kjo gjë e vendos sektorin në një dimension të ri, ku pyjet nuk shihen vetëm si burim për t’u ruajtur, por edhe si aset që mund të gjenerojë të ardhura në mënyrë të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, reforma synon të rrisë edhe nivelin e kontrollit dhe transparencës. Projektligji parashikon mekanizma të detyrueshëm raportimi, publikim të të dhënave dhe auditim të aktivitetit, në një përpjekje për të adresuar një nga dobësitë kryesore të sektorit deri më sot. Në planin institucional, pritet që një strukturë e centralizuar të ketë kapacitete më të mira për monitorim, inventarizim dhe planifikim afatgjatë të burimeve. /ekofin.al
