Franca dhe Serbia kanë patur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë, madje sipas analistëve dhe historianëve, kjo rrjedh që nga kohërat e Mesjetës. Atëeherë mbretërit serbë martoheshin me konteshat franceze. Lidhja e tyre u thellua gjatë Luftës së Parë Botërore, kur luftuan krah për krah në betejën e Selanikut, atëherë kur Franca dha ndihma të konsiderueshme humanitare dhe i evakuoi trupat serbe, që pësuan edhe shumë humbje njerëzore.
Në ditët e sotme, mbi 80% e investimeve franceze në Ballkan, janë realizuar në Serbi, ndërkohë që mbi 100 kompani franceze që operojnë në Serbi, kanë punësuar mbi 12 mijë punonjës.
Në gusht të vitit të kaluar, Presidenti Macron ishte në Serbi, ku u takua me homologun e tij Vuçiç dhe ku u nënshkruan 11 marrëveshje me vlerë miliarda euro. Një prej tyre ishte ajo për blerjen nga Serbia të 12 avionëve luftarakë francezë Rafale për 2.7 miliardë Euro. Në atë rast, presidenti Macron e cilësoi marrëveshjen si historike dhe vlerësoi Serbinë për “shfaqjen e shpirtit evropian”.
Së fundmi, Serbia i ka dhënë Francës parapagim 823.5 milionë Euro për porosinë e avionëve.
Rusia ka qënë tradicionalisht furnizuesi kryesor i Serbisë me armatim ushtarak, përfshirë edhe helikopterët ushtarakë, ndërkohë që nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj aleatit të tij, që pas ndërhyrje ushtarake në Ukrainë.
