Sektori publik në Shqipëri është zgjeruar gjatë vitit 2025, me rritjen të përqendruar pothuajse tërësisht te njësitë buxhetore të Qeverisë Qendrore.
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se numri total i njësive të klasifikuara si pjesë e sektorit publik arriti në 1.826 në vitin 2025, nga 1.788 në vitin 2024. Në harkun e një viti janë shtuar kështu 38 njësi, ose rreth 2,1%.
Rritja vjen tërësisht nga Qeveria Qendrore. Numri i njësive të këtij nënsektori u rrit nga 1.406 në vitin 2024 në 1.444 në vitin 2025, pra 38 më shumë ose rreth 2,7%.
Por krahasimi më i detajuar tregon se zgjerimi ka ndodhur vetëm te njësitë buxhetore. Në vitin 2024, Qeveria Qendrore kishte 1.349 njësi buxhetore, ndërsa në vitin 2025 numri i tyre arriti në 1.387, sërish një shtesë prej 38 njësish. Ndërkohë, numri i njësive ekstra-buxhetore të Qeverisë Qendrore mbeti i pandryshuar në 57.
Ndryshime më të vogla, por interesante, janë regjistruar në nivel vendor. Numri i përgjithshëm i njësive të klasifikuara te Qeveria Lokale mbeti 340, si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2025. Megjithatë, struktura e tyre ndryshoi.
Njësitë buxhetore lokale u shtuan nga 257 në 259, ndërsa njësitë ekstra-buxhetore u reduktuan nga 83 në 81. Pra, në total nuk pati ndryshim, por brenda sektorit vendor rezulton një zhvendosje prej dy njësish drejt kategorisë buxhetore. Të dhënat e INSTAT nuk japin në tabelën përmbledhëse emrat apo arsyet konkrete të këtij ndryshimi.
Pjesa tjetër e sektorit publik ka mbetur praktikisht e pandryshuar. Shqipëria kishte 37 ndërmarrje publike jo-financiare si në 2024, ashtu edhe në 2025. Edhe numri i ndërmarrjeve publike financiare mbeti 2, ndërsa Banka e Shqipërisë përbën njësinë e vetme të klasifikuar si Bankë Qendrore. Fondet e Sigurimeve mbeten gjithashtu 2 njësi.
Në terma krahasues, panorama është kjo: 38 njësi më shumë në sektorin publik, të gjitha të shtuara në Qeverinë Qendrore; 38 njësi buxhetore qendrore më shumë; asnjë ndryshim në numrin e njësive ekstra-buxhetore qendrore; Qeveria Lokale mbetet me të njëjtin numër total, por me dy njësi buxhetore më shumë dhe dy ekstra-buxhetore më pak.
INSTAT sqaron se ndryshimi i numrit të njësive shpenzuese buxhetore nga një vit në tjetrin mund të jetë rrjedhojë e ndryshimeve strukturore të qeverisë, riklasifikimeve, si edhe krijimit të njësive të reja apo mbylljes së atyre ekzistuese. Për këtë arsye, rritja me 38 njësi nuk duhet interpretuar automatikisht si krijimi i 38 institucioneve krejtësisht të reja./ekofin.al

