Qeveria ka miratuar rregulla të reja që përcaktojnë procedurat dhe kushtet mbi bazën e të cilave kompanitë minerare mund të pezullojnë aktivitetin e tyre të shfrytëzimit në Shqipëri. Udhëzimi i ri nr. 2, datë 12 maj 2026, i firmosur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, synon të vendosë një kuadër më të qartë për rastet kur subjektet minerare kërkojnë ndërprerjen e përkohshme të punimeve.
Sipas udhëzimit, pezullimi i aktivitetit nuk do të mund të realizohet më thjesht me një njoftim formal, por duhet të mbështetet në arsye konkrete dhe të dokumentuara. Kompanitë do të duhet të provojnë ekzistencën e vështirësive reale që pengojnë vijimin e aktivitetit, si mungesa e tregut për produktin minerar, rënia e çmimeve të mineralit nën koston e prodhimit, kushtet e pafavorshme klimatike apo mungesa e fuqisë punëtore.
Një nga arsyet kryesore që pritet të përdoret nga operatorët minerarë lidhet me luhatjet e tregjeve ndërkombëtare. Udhëzimi njeh shprehimisht rastet kur çmimi i mineralit bie nën koston e prodhimit, duke e bërë ekonomikisht të paarsyeshëm vazhdimin e aktivitetit. Kjo situatë ka prekur herë pas here sektorin minerar shqiptar, veçanërisht në industrinë e kromit dhe bakrit, të cilat varen ndjeshëm nga çmimet globale.
Për të përfituar pezullimin, subjekti minerar duhet t’i drejtohet me kërkesë ministrisë përgjegjëse për sektorin minerar, duke paraqitur një dosje të plotë me argumentet përkatëse, dokumentacionin provues, periudhën e kërkuar të pezullimit dhe planin e masave që do të ndërmerren për ruajtjen dhe sigurinë e zonës minerare gjatë kohës që aktiviteti mbetet i ndërprerë.
Kërkesa do të shqyrtohet nga struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe monitorimin e veprimtarisë minerare, e cila ka afat 30 ditë për të kryer vlerësimin. Nëse është e nevojshme, kjo strukturë mund të kërkojë dokumente shtesë ose të kryejë verifikime në terren për të konfirmuar situatën e deklaruar nga kompania.
Pas përfundimit të shqyrtimit, struktura përkatëse përgatit një raport të arsyetuar dhe i propozon ministrit miratimin ose refuzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar merret nga ministri brenda 30 ditëve kalendarike.
Edhe në rast miratimi të pezullimit, kompanitë minerare nuk çlirohen nga detyrimet e tyre ligjore. Ato duhet të garantojnë sigurinë teknike të minierës, mirëmbajtjen e objekteve, mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e infrastrukturës minerare dhe raportimin periodik pranë institucioneve përgjegjëse.
Një tjetër element i rëndësishëm i udhëzimit është detyrimi për rifillimin e aktivitetit sapo të zhduken kushtet që justifikuan pezullimin. Nëse tregu rikuperohet ose krijohen kushtet për vijimin normal të punës, kompania duhet të njoftojë zyrtarisht ministrinë, strukturën monitoruese dhe autoritetet e sigurisë minerare jo më vonë se 30 ditë nga momenti kur mund të rifillojë aktivitetin.
Me këtë akt nënligjor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të shmangë rastet kur lejet minerare mbahen të bllokuara për periudha të gjata pa aktivitet real, ndërsa njëkohësisht u jep operatorëve një mekanizëm ligjor për të përballuar vështirësitë ekonomike, teknike apo klimatike që mund të ndikojnë në rentabilitetin e investimeve minerare. Për një sektor që prej vitesh përballet me luhatje të forta të tregjeve ndërkombëtare dhe me probleme të mungesës së fuqisë punëtore, rregullat e reja pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën e administrimit të lejeve minerare dhe të aktiviteteve të shfrytëzimit në vend. /ekofin.al
