Nga Etlon Peppo
Me ndryshimet e fundit legjislative, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka plotësuar tashmë kuadrin ligjor rregullues për sekretet tregtare, duke përcaktuar në këtë mënyrë mjetet dhe procedurat ligjore për mbrojtjen e sekretit tregtar kundrejt përvetësimit, përdorimit dhe bërjes publike në mënyrë të paligjshme. Nisur nga domosdoshmëria për të siguruar një mbrojtje efektive për pronarët e sekreteve tregtare dhe bazuar në politikat e nevojshme ligjore që kërkon procesi i anëtarësimit në BE, Kuvendi miratoi ligjin nr. 96/ 2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947/2008 ‘Për Pronësisë Industriale’”. Ligji në fjalë u botua në Fletoren Zyrtare nr. 125, datë 6 gusht 2021 dhe hyri në fuqi më 22 gusht 2021.
Deri në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të mësipërme, mbrojtja rezervuar sekretit tregtar në vendin tonë ishte shumë e dobët dhe kufizohej në një nen të vetëm (neni 18) të ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Për këtë arsye, shteti shqiptar ndodhej përpara detyrimit ligjor për të siguruar një kornizë ligjore të përshtatshme për mbrojtjen e sekreteve tregtare duke miratuar një ligj të veçantë ose duke amenduar ligjin ekzistues për pronësinë industriale.
Në këto kushte, u vendos të përqafohej opsioni i dytë dhe të amendohej ligji ekzistues nr. 9947/2008 “Për pronësisë industriale” duke përafruar dhe harmonizuar plotësisht legjislacionin tonë me Direktivën e Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës nr. 2016/ 943 “Për mbrojtjen e njohurive teknike të pazbuluara dhe informacionit të bizneseve (sekretet tregtare) kundrejt përvetësimit, përdorimit dhe bërjes publike në mënyrë të paligjshme”.
Përafrimi dhe harmonizimi i legjislacionit shqiptar për të siguruar një nivel mbrojtjeje të sekretit tregtar të përafërt me legjislacionin e BE-së përbënte njëkohësisht njërin prej kushteve ligjore të nevojshme që duheshin plotësuar gjatë këtij viti nga vendi ynë për integrimin në Bashkimin Europian. Një rol thelbësor dhe shumë të rëndësishëm në këtë drejtim luajti padyshim Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, e cila udhëhoqi me profesionalitet të lartë këtë proces shumë të rëndësishëm dhe implementoi kuadrin ligjor të nevojshëm për mbrojtjen e sekretit tregtar në ligjin nr. 9947/2008 “Për pronësinë industriale”.
Por çfarë janë sekretet tregtare? Sekretet tregtare janë informacione konfidenciale me natyrë teknike ose tregtare të një biznesi, informacione të cilat sigurojnë një avantazh konkurrues në treg dhe janë të panjohura për subjektet e tjera. Gjithsesi, jo çdo informacion konfidencial mund të jetë një sekret tregtar.
Sekreti tregtar mund të jetë një produkt, recetë, plan biznesi, strategji marketingu ose çdo lloj tjetër informacioni sekret (dokument, objekt, material, substancë ose dosje elektronike) që e bën të ndryshme një shoqëri nga një tjetër. Në mënyrë tipike, shoqëritë tregtare investojnë shuma të konsiderueshme për bizneset e tyre në perfeksionimin e metodave të prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve, metodave të shitjes apo strategjive reklamuese.
Shembulli më i famshëm i sekretit tregtar në botë është formula/receta e “Coca-Cola”, e cila është është klasifikuar si sekret tregtar nga shoqëria amerikane “The Coca-Cola Company” dhe aksesi për administrimin e tij është rreptësisht i mbrojtur sipas rregullave të vendosura me fanatizëm nga vetë shoqëria. E keni pyetur ndonjëherë veten se cili është sekreti i recetës së “Coca-Cola”-s dhe pse ndryshon kjo pije nga pijet e tjera joalkoolike? Me siguri, ju nuk do ta merrni vesh asnjëherë, sepse ky informacion mbi recetën e “Coca-Cola”-s është sekret tregtar! Imagjinoni pasojat dhe dëmet që mund të sillte zbulimi, përvetësimi apo përdorimi i paligjshëm i formulës/recetës sekrete të “Coca-Cola”-s nga persona të tjerë të ndryshëm nga prodhuesi dhe mbajtësi i sekretit tregtar.
Shembuj të tjerë të sekreteve tregtare më të famshme në botë janë algoritmet e kërkimit të “Google”, lista Bestseller e “The New York Times”, përbërësit e recetës origjinale të KFC-së apo receta e salcës speciale të “McDonald’s” për hamburgerin BIG MAC.
Gjithashtu, edhe informacioni mbi listat e klientëve ose listat e furnizuesve të një biznesi mund të përbëjë sekret tregtar në rast se përmbushen kërkesat e përcaktuara nga ligji për t’u konsideruar dhe mbrojtur si i tillë. Kështu, në qoftë se një biznes konkurrent përvetëson dhe bie në zotërim të një informacioni të tillë, kjo mund t’i shkaktojë shoqërisë mbajtëse të sekretit tregtar humbjen e përfitimeve financiare nga zotërimi i tregut dhe njëkohësisht t’i mundësojë shoqërisë tjetër konkurrente të përfitojë një pjesë të tregut.
Po cilat janë kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojë një informacion për t’u konsideruar dhe vlerësuar si një sekret tregtar?
Duke pasur si qëllim përdorimin e një gjuhe sa më të kuptueshme për lexuesit, në vijim është synuar të shmanget sa më shumë terminologjia juridike për të mundësuar përcjelljen e një informacioni sa më të qartë dhe të saktë.
Kështu, bizneset shqiptare duhet të kuptojnë se do të konsiderohet dhe do të vlerësohet si sekret tregtar çdo informacion që përmbush kërkesat dhe kushtet e mëposhtme:
1)Informacioni është sekret në kuptimin që ky informacion nuk është gjerësisht i njohur ose lehtësisht i aksesueshëm për personat që përgjithësisht merren me një lloj informacioni të tillë;
2)Informacioni ka në vetvete një vlerë tregtare duke qenë se është sekret;
3)Informacioni u është nënshtruar hapave të arsyeshëm për ruajtjen e tij nga personat që zotërojnë në mënyrë të ligjshme atë për të mbajtur sekretin të fshehtë.
Llojet e informacionit që mund të klasifikohen si sekret tregtar në kuptim të pikës 1 më sipër përfshijnë, ndër të tjera, njohuritë teknike, informacionet për shoqërinë tregtare dhe informacionet teknologjike. Këto informacione do të konsiderohen se kanë vlerë tregtare në ato raste kur përvetësimi, përdorimi ose bërja publike e paligjshme e tyre si sekret tregtar ka mundësi të dëmtojë interesat e personit që kontrollon në mënyrë të ligjshme këto sekrete tregtare, duke cenuar në këtë mënyrë potencialin e tij shkencor dhe teknik, interesat financiare të shoqërisë tregtare, pozicionet strategjike ose çdo mundësi tjetër konkurrimi në treg.
Së fundmi, është shumë e rëndësishme që një informacion i tillë t’u nënshtrohet medoemos hapave të arsyeshme për ruajtjen dhe administrimin e tij, duke përfshirë, ndër të tjera, përgatitjen e një akti të brendshëm të shoqërisë për administrimin e sekretit tregtar, hartimin dhe miratimin e masave për mbrojtjen fizike ose virtuale në administrimin e sekretit tregtar apo caktimin e një grupi të kufizuar personash të shoqërisë që do të jenë përgjegjës për administrimin e këtij sekreti tregtar.
Konkretisht, në rast të përvetësimit, përdorimit ose bërjes publike në mënyrë të paligjshme të sekretit tregtar, ligji kërkon që pronari apo mbajtësi i sekretit tregtar të evidentojë se ky informacioni përbënte realisht një sekret tregtar dhe se ishin marrë të gjithë hapat e arsyeshëm për të mbajtur këtë informacionin si sekret. Për këtë arsye, marrja e masave të tilla për mbrojtjen dhe trajtimin e informacionit konfidencial si sekret tregtar është thelbësor për një biznes. Në fund të fundit, sekreti tregtar është një e drejtë pronësore!
Një ndër rekomandimet për bizneset shqiptare në këtë drejtim do të ishte padyshim hartimi dhe implementimi i një programi për administrimin/ menaxhimin e sekretit tregtar. Ky program duhet të përmbajë audite periodike mbi sekretin tregtar, politika edukuese mbi anëtarët e stafit mbi rëndësinë që mbart sekreti tregtar dhe të drejtat e tjera të pronësisë industriale, ashtu si edhe hartimin e marrëveshjeve konfidenciale për mbrojtjen e informacionit konfidencial të konsideruar si sekret tregtar.
Gjithashtu, sidomos bizneset e mëdha duhet t’i kushtojnë rendësi të posaçme sigurisë kibernetike duke vendosur rregulla strikte për një akses të kufizuar mbi sekretin tregtar apo informacionet e tjera konfidenciale të shoqërisë dhe duke trajnuar stafin e tyre të punonjësve për përdorimin e sistemit elektronik.
Për këtë arsye, të gjitha bizneset shqiptare që zotërojnë një sekret tregtar sipas rregullave të përcaktuara më sipër duhet veçanërisht të tregojnë kujdesin e duhur dhe të lidhin marrëveshje për ndalimin e konkurrencës dhe kontrata për ndalimin e bërjes publike të informacionit sekret. Këto marrëveshje dhe kontrata duhet të lidhen si me punonjësit e tyre, ashtu edhe me palë të treta kontraktuese, me të cilat këto biznese përfshihen në marrëdhënie tregtare.
Në mënyrë të posaçme, marrëveshje të tilla konfidencialiteti duhet të lidhen padyshim me punonjësit e biznesit kur këto të fundit largohen nga puna duke përcaktuar detyrimin e tyre për të mos bërë publik dhe për të mos përdorur informacionin që ato kanë zotëruar si pasojë e marrëdhënieve të tyre të punës.
Sot shoqëria jonë është dëshmitare e një procesi zhvillimi teknologjik me ritme shumë të shpejta dhe në këtë kontekst, bizneset janë në kërkim të vazhdueshëm të inovacionit dhe përmirësimit të ofertës së tyre për konsumatorët. Në rast se idetë, inovacioni dhe informacionet sekrete që drejtojnë veprimtarinë e një biznesi nuk mbrohen si sekret tregtar, atëherë ky biznes nuk do të jetë i suksesshëm dhe do të humbasë në nivel konkurrues.
Bazuar në statistikat e raportuara së fundmi nga Zyra e Pronësisë Intelektuale e Bashkimit Europian (EUIPO), bizneset që mbrojnë të drejtat e tyre të pronësisë intelektuale kanë 60% më shumë të ardhura në raport me kategorinë e bizneseve të tjera. Sekretet tregtare, megjithëse të ndryshme nga patentat e shpikjeve apo markat tregtare, mbartin një vlerë po aq thelbësore për një biznes.
Kështu, në ndryshim nga patentat e shpikjeve dhe markat tregtare, mbrojtja e sekretit tregtar nuk u nënshtrohet formaliteteve apo kostove të regjistrimit, sjell efekte të menjëhershme dhe është e pakufizuar në kohë. Nga ana tjetër, për shkak të natyrës sekrete, këto të drejta janë më të vështira për të qenë objekt i kontratave të shitjeve apo licencave me palë të treta dhe paraqiten më komplekse në fushën e zbatimit të të drejtave.
Mbrojtja ligjore e sekreteve tregtare sigurohet tashmë jo vetëm në kuadrin e trajtimit të konkurrencës së pandershme, por bazohet specifikisht në dispozitat ligjore të përcaktuara në ligjin nr. 9947/2008 “Për pronësinë industriale” (i ndryshuar). Ndër format më të njohura të shkeljes së të drejtave të sekretit tregtar përfshihen spiunazhi industrial dhe shkelja e marrëveshjeve të konfidencialitetit. Në terma të përgjithshëm, mbrojtja e sekretit tregtar i jep pronarit të drejtën për të parandaluar që informacioni i cili ndodhet ligjërisht nën kontrollin e tij të përvetësohet, të bëhet publik ose të përdoret nga palë të treta pa pëlqimin e tij dhe në kundërshtim me parimet e konkurrencës së ndershme.
Në rast se jemi përpara një rasti të tillë, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të sekretit tregtar dhe pronari ka të drejtë të ngrejë padi pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të kërkuar ndërprerjen e shkeljes së paligjshme dhe shpërblimin e dëmit. Ligji i ri ka parashikuar edhe mundësinë e marrjes së masave të përkohshme brenda një afati të shkurtër kohor, si edhe detyrimin ligjor të të gjitha palëve ndërgjyqëse që të ruajnë konfidencialitetin e sekretit tregtar gjatë procesit gjyqësor.
Përfundimisht, sekreti tregtar është një aset i çmuar për një biznes dhe duhet të trajtohet ndryshe nga informacioni konfidencial. Në procesin e inovacionit, me të cilin po ndeshet çdo ditë shoqëria njerëzore dhe bota e biznesit, konceptimi i ideve të reja dhe konkurruese duhet të mbrohet që në fazat fillestare të zbatimit të tyre në tregti nëpërmjet sekretit tregtar. Njohja, vlerësimi i duhur dhe mbrojtja e sekretit tregtar paraqet një avantazh ekonomik të rëndësishëm për biznesin tuaj kundrejt praktikave të padrejta tregtare dhe konkurrencës së pandershme.