Shqipëria vijon të përballet me një kosto të lartë nga faturat e arbitrazhit ndërkombëtar. Të dhënat Ministria e Financave tregojnë se një çështje e vetme arbitrazhi, konkretisht ajone njohur si çështja Becchetti, përfaqëson 59% të të gjithë ekspozimit financiar të Shqipërisë nga vendimet dhe proceset e arbitrazhit ndërkombëtar.
Çështja e emërtuar si ICSID nr. ARB/15/28, “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” ka një vlerë prej 108.3 milionë eurosh, ndërsa ekspozimi i përgjithshëm i shtetit nga arbitrazhet arrin në 183.57 milionë euro.
Shuma prej 108.3 milionë eurosh vijon të klasifikohet si detyrim kontigjent, pra si një rrezik potencial që mund të materializohet në të ardhmen dhe jo si një pagesë e maturuar menjëherë. Në këtë kategori përfshihen vendimet që janë ende objekt procedurash kundërshtimi, rishikimi, pezullimi ose anulimi.
Përveç vlerës së çështjes, shteti ka edhe 3.75 milionë euro ekspozim nga kostot ligjore të lidhura me procesin “Hydro”. Nga kjo shumë, 2.7 milionë euro janë detyrime të mbetura dhe 1.05 milionë euro detyrime kontingjente.
Duke përfshirë edhe kostot ligjore, ekspozimi i lidhur me çështjen “Hydro” arrin në rreth 112.1 milionë euro, ose 61% të totalit të detyrimeve dhe rreziqeve të evidentuara nga arbitrazhet.
Në totalin e detyrimeve prej 183.57 milionë eurosh, rreth 73.8 milionë euro përfaqësojnë detyrime të mbetura nga vendime arbitrazhi ose kontrata për shërbime ligjore, ndërsa 109.76 milionë euro janë detyrime kontigjente.
Pas çështjes “Hydro”, ekspozimin më të madh e ka procesi “JV Copri–Aktor kundër ARRSH-së”, me një detyrim të mbetur prej 41.14 milionë eurosh. Për këtë çështje rezultojnë edhe 150 mijë euro kosto ligjore të papaguara.
Ndërkohë, çështja “Construzioni Dondi” ka një detyrim të mbetur prej 13.28 milionë eurosh, ndërsa procesi “GBC Oil Company kundër Ministrisë së Infrastrukturës, AKBN-së dhe Albpetrolit” përfaqëson 11.86 milionë euro.
Nga të dhënat e raportit rezulton se vetëm katër çështjet kryesore: Hydro, Copri–Aktor, Dondi dhe GBC Oil, përqendrojnë rreth 174.6 milionë euro, ose më shumë se 95% të ekspozimit total nga arbitrazhet.
Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë paguar 612,249 euro për vendimet dhe kostot ligjore të përfshira në evidencat e arbitrazhit. Pjesa më e madhe e pagesave, 435,750 euro, lidhej me kostot ligjore të procesit “Hydro”, ndërsa 115 mijë euro u paguan për përfaqësimin në çështjen “GBC Oil”. /ekofin.al


