Close Menu
Ekofin
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English

Bizneset përballë rregullave të reja, çfarë ndryshon me regjistrin e pronarëve përfitues

12:47 - Korrik 21, 2026

Dyfishohet kafja e importuar në qershor, rriten edhe mallrat e tjera të akcizës

12:41 - Korrik 21, 2026

Shqipëria e gjashta në botë për intensitetin turistik, 4.8 mbërritje për çdo banor

12:10 - Korrik 21, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook Instagram X (Twitter) LinkedIn
EkofinEkofin
Subscribe
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English
Ekofin

Euro në ligj, leku në provë, ekspertët paralajmërojnë se Shqipëria nuk është gati për monedhën evropiane

06:00 - Korrik 21, 2026 Kryesore
Shpërndaje
Facebook Twitter Pinterest Email WhatsApp

Nga Mirilda Tili

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i hedhur për konsultim publik, sjell për herë të parë, një kapitull të veçantë përgatitjes së vendit për anëtarësimin në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar të Bashkimit Evropian dhe adoptimin e euros si monedhë zyrtare.

Në aspektin institucional, ndryshimet harmonizojnë legjislacionin shqiptar me traktatet e Bashkimit Evropian, duke parashikuar integrimin e Bankës së Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, bashkëpunimin me Bankën Qendrore Evropiane dhe zbatimin e kuadrit monetar evropian sapo vendi të përmbushë kriteret e nevojshme.

Megjithatë, nëse projektligji ndërton bazën juridike për një të ardhme me euron, ekonomistët vlerësojnë se ekonomia shqiptare është ende larg momentit kur mund të heqë dorë nga leku. Debati bëhet edhe më interesant për faktin se kjo nismë vjen nga vetë Banka e Shqipërisë, e cila prej vitesh ka ndjekur politika të deeuroizimit, me synimin për të rritur përdorimin e monedhës kombëtare në ekonomi.

Ekofin.al pyeti dy ekonomistët, Zef Preçin dhe Eduart Gjokutajn, nëse Shqipëria është realisht gati për këtë hap dhe cilat janë përfitimet, kostot dhe rreziqet e një procesi që, kur të ndodhë, do të jetë i pakthyeshëm.

Zef Preçi e sheh përfshirjen e euros në ligjin e ri si një zhvillim që duhet analizuar përtej aspektit teknik. Sipas tij, kalimi nga leku në euro nuk do të thotë vetëm zëvendësim i një monedhe me një tjetër, por transferim i plotë i sovranitetit monetar nga Banka e Shqipërisë te Banka Qendrore Evropiane.

“Politika monetare e vendit do të varej tërësisht nga Banka Qendrore Evropiane. Banka e Shqipërisë do të humbiste instrumentet për të ndikuar në normat e interesit, ofertën e parasë dhe kursin e këmbimit”, shprehet ai.

Sipas Preçit, ky është ndryshimi më i madh që do të sillte euroizimi, pasi vendi nuk do të kishte më mundësi të përdorte politikën monetare për t’iu përgjigjur krizave ekonomike apo goditjeve të papritura.

Ai thekson se me heqjen dorë nga leku, shteti humbet edhe të ardhurat që burojnë nga emetimi i monedhës kombëtare, të njohura në ekonomi si “seigniorage”, ndërsa zhduket edhe mundësia për të përdorur kursin e këmbimit si instrument për të mbështetur eksportet ose për të zbutur efektet e krizave.

Një tjetër shqetësim lidhet me rolin e Bankës së Shqipërisë si huadhënësi i fundit për sistemin bankar.

“Qeveria nuk do të mund të përdorë më Bankën e Shqipërisë si mbështetje për sistemin bankar në rast krizash, çka do të kërkonte mekanizma të rinj stabilizues ose linja financimi nga jashtë”, argumenton ai.

Megjithëse pranon se euroizimi mund të sjellë stabilitet më të madh të çmimeve dhe të eliminojë rrezikun e kursit të këmbimit në marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian, Preçi vëren se këto përfitime nuk janë automatike.

“Në kushtet kur tregjet nuk garantojnë konkurrencë të ndershme, importimi i stabilitetit monetar mbetet më shumë hipotetik sesa real.”

Ai kundërshton gjithashtu argumentin se euro do të rriste automatikisht investimet e huaja.

“Mungesa e euros nuk ka qenë arsyeja që ka penguar investimet nga Bashkimi Evropian. Pengesat kryesore kanë qenë korrupsioni, keqqeverisja dhe kapja e shtetit.”

Për ekspertin, Shqipëria nuk i plotëson ende kriteret e një zone optimale monetare me Bashkimin Evropian. Niveli i ulët i konvergjencës ekonomike, pesha e madhe e bujqësisë dhe informaliteti i lartë mbeten pengesa serioze që kërkojnë kohë për t’u kapërcyer.

Në të njëjtën linjë me nevojën për kujdes, por me një vlerësim më pozitiv për projektligjin, qëndron edhe ekonomisti Eduart Gjokutaj.

Sipas tij, drafti përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë dhe afrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.

“Projektligji në tërësi është një hap i rëndësishëm modernizimi i kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është një hap strategjik pozitiv, por duhet të shoqërohet edhe me reforma fiskale, rritje të konkurrencës dhe një plan të detajuar tranzicioni, siç kanë bërë Kroacia apo vende të tjera të Ballkanit.”

Gjokutaj e konsideron kapitullin për euron një përgatitje institucionale të domosdoshme në rrugën e integrimit evropian.

“Ai parashikon integrimin e Bankës së Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, bashkëpunimin me Bankën Qendrore Evropiane, transferimin gradual të rezervave dhe zbatimin e politikave të përbashkëta monetare. Janë hapa të nevojshëm dhe pozitivë.”

Megjithatë, edhe ai vëren se përgatitja ligjore nuk duhet të ngatërrohet me gatishmërinë ekonomike.

“Përgatitja për kalimin e plotë nga leku në euro mbetet disi e parakohshme në aspektin praktik. Shqipëria nuk i plotëson ende plotësisht kriteret e Maastricht-it. Zëvendësimi i plotë i lekut do të thotë humbje e autonomisë monetare dhe kërkon një ekonomi më të fortë, stabilitet fiskal të qëndrueshëm dhe institucione të konsoliduara.”

Sipas tij, ekziston edhe një tjetër rrezik: krijimi i pritshmërive të gabuara te publiku dhe biznesi.

“Kapitulli për euron mund të krijojë pritshmëri të larta, duke përshpejtuar euroizimin informal. Kalimi në euro duhet të jetë rezultat i suksesit ekonomik të vendit dhe jo një objektiv i nxituar.”

Megjithëse argumentojnë nga këndvështrime të ndryshme, të dy ekonomistët mbërrijnë në të njëjtin përfundim. Asnjëri nuk kundërshton orientimin strategjik të Shqipërisë drejt euros dhe as harmonizimin e legjislacionit me Bashkimin Evropian. Përkundrazi, të dy e konsiderojnë këtë një hap të domosdoshëm në procesin e integrimit.

Por po aq të qartë janë edhe në një tjetër mesazh: Shqipëria nuk i ka ende kushtet ekonomike për të zëvendësuar monedhën kombëtare.

Për Gjokutajn, përparësi kanë reformat fiskale, forcimi i institucioneve dhe rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë. Për Preçin, vendi duhet të arrijë një nivel më të lartë konvergjence ekonomike me Bashkimin Evropian dhe të reduktojë informalitetin përpara se të ndërmarrë një hap të pakthyeshëm.

Në këtë kuptim, projektligji i ri nuk nënkupton se euro do të zëvendësojë lekun në një të ardhme të afërt. Ai ndërton bazën ligjore për një proces që mund të zgjasë për shumë vite, ndërsa sfida më e madhe mbetet jo ndryshimi i ligjit, por transformimi i ekonomisë shqiptare. /ekofin.al

Ekofin Media
Ekofin Media
eduart gjokutaj ekspertët euro forcimi leku zef preçi
Shpërndaje. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

Të ngjashme

Bizneset përballë rregullave të reja, çfarë ndryshon me regjistrin e pronarëve përfitues

12:47 - Korrik 21, 2026

Dyfishohet kafja e importuar në qershor, rriten edhe mallrat e tjera të akcizës

12:41 - Korrik 21, 2026

Shqipëria e gjashta në botë për intensitetin turistik, 4.8 mbërritje për çdo banor

12:10 - Korrik 21, 2026
Komento
Leave A Reply Cancel Reply

Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media

Bizneset përballë rregullave të reja, çfarë ndryshon me regjistrin e pronarëve përfitues

gazetar_212:47 - Korrik 21, 20260

Shqipëria po përgatitet të miratojë një ligj krejtësisht të ri për Regjistrin e Pronarëve Përfitues,…

Dyfishohet kafja e importuar në qershor, rriten edhe mallrat e tjera të akcizës

12:41 - Korrik 21, 2026

Shqipëria e gjashta në botë për intensitetin turistik, 4.8 mbërritje për çdo banor

12:10 - Korrik 21, 2026

Ministri i Financave konfirmon “lumin” e lejeve të ndërtimit në Tiranë e bregdet

12:02 - Korrik 21, 2026
Na Ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
Ekofin Media
Rreth nesh
Rreth nesh

Informacione, analiza, të dhëna rreth zhvillimeve ekonomike dhe financiare. Qytetarët në fokus. Gjithçka për transparencën. Ekofin Albania.

12:47 - Korrik 21, 2026

Bizneset përballë rregullave të reja, çfarë ndryshon me regjistrin e pronarëve përfitues

12:41 - Korrik 21, 2026

Dyfishohet kafja e importuar në qershor, rriten edhe mallrat e tjera të akcizës

12:10 - Korrik 21, 2026

Shqipëria e gjashta në botë për intensitetin turistik, 4.8 mbërritje për çdo banor

Bizneset përballë rregullave të reja, çfarë ndryshon me regjistrin e pronarëve përfitues

12:47 - Korrik 21, 2026

Dyfishohet kafja e importuar në qershor, rriten edhe mallrat e tjera të akcizës

12:41 - Korrik 21, 2026

Shqipëria e gjashta në botë për intensitetin turistik, 4.8 mbërritje për çdo banor

12:10 - Korrik 21, 2026
© 2026 Ekofin. Crafted with love by BeeTech Solutions.

Shkruani togfjalëshin dhe shtypni Enter