Në mbledhjen e rradhës të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u ndal te përfitimet që do të ketë Shqipëria nga anëtarësimi në SEPA.
“Së pari, vendimi i Këshillit Evropian të Pagesave për të pranuar Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA, shënon një arritje politike në nivel kombëtar, si një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian,” theksoi Sejko.
Ndërsa përmendi se përfitimet konkrete ekonomike prej kësaj vendimmarrjeje do të jenë të shumëfishta, Guvernatori u bëri thirrje institucioneve financiare të nxisin përgatitjet me rigorozitet dhe përkushtim për të respektuar afatet e rregullores përkatëse, në mënyrë që të realizojnë aderimin në skemat SEPA dhe kryerjen e transaksioneve SEPA për klientët brenda vitit të ardhshëm. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë do të drejtojë procesin dhe do të mbështesë institucionet financiare të plotësojnë kriteret teknike të SEPA-s.
Së dyti, tha Sejko, një zhvillim tjetër i rëndësishëm në fushën e pagesave ishte operacionalizimi i bankingut të hapur (open banking), i cili i jep klientit më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët.
Guvernatori u shpreh se operacionalizimi i bankingut të hapur është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), i cili do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët.
Përveç përfitimeve personale të konsumatorit, në një plan më të gjerë, kjo risi sjell dobi të shumta në rrugën drejt formalizimit të ekonomisë dhe përfshirjes financiare.
Në veçanti, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë inkurajon bankat që të jenë sa më të orientuara drejt projekteve inovative, që synojnë ofrimin dhe rritjen e volumit të shërbimeve bankare në distancë, e veçanërisht atyre me impakt të drejtpërdrejtë në lehtësimin e përfshirjes së parë financiare, ose e thënë më thjesht, hapjes së një llogarie bankare në distancë.
Në lidhje me bankingun e hapur, përtej zhvillimeve dhe përvojave në nivel vendi, u prezantuan dhe eksperienca të suksesshme të aplikimit të këtij koncepti në tregun evropian.
Në takim u diskutua dhe projekti i pagesave të shpejta i iniciuar nga Banka e Shqipërisë, duke u fokusuar kryesisht në hapat e nevojshëm që duhet të ndërmerren për operacionalizimin e klonit TIPS të ofruar nga Banka e Italisë dhe angazhimin e nevojshëm të aktorëve të tregut në këtë drejtim.
