Në fjalën e mbajtur në forumin e biznesit “E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni, shërbimet financiare shqiptare në 2025 dhe më tej”, organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe AmCham, Guvernatori Sejko theksoi se ekosistemi i pagesave ka përjetuar transformime të rëndësishme në dy dekadat e fundit në nivel global.
Ai tha se teknologjitë e reja kanë transformuar produktet dhe shërbimet e ofruara në tregun e pagesave me vlerë të vogël, ndërkohë që ekosistemi është zgjeruar me aktorë të rinj, të cilët janë kthyer në hallka të rëndësishme në zinxhirin e vlerës së pagesave.
Sejko vuri në pah avancimin e vendit tonë për pagesat online.
“Vendi ynë po përjeton një rritje të shërbimeve bankare digjitale, duke i bërë shërbimet financiare më të përshtatshme, më të sigurta dhe më të aksesueshme. Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike”, tha Sejko.
Guvernatori tha se përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë.
Sipas Sejkos, numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015.
Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015.
Sejko foli ndër të tjera edhe për SEPA dhe ndikimet që pritet të ketë përfshirja e Shqipërisë në këtë sistem evropian pagesash. Guvernatori tha se përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në SEPA pritet të reflektohen në uljen e komisioneve ndërkufitare në euro, në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, në zgjerimin e investimeve të huaja në vend etj.
“Komisionet për kryerjen e transaksioneve SEPA pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale. Vlerësojmë se vetëm nga ulja e komisioneve, kryerja e transaksioneve nëpërmjet skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë. Këto përfitime do të jenë të prekshme, pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA. Banka e Shqipërisë po udhëheq procesin e aderimit të çdo institucioni financiar, duke vepruar si urë lidhëse komunikimi dhe informacioni dhe duke monitoruar plotësimin e kritereve përkatëse. Institucionet shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Bankat vendase janë angazhuar maksimalisht për plotësimin e kritereve teknike dhe ligjore, ku duhet të them, disa prej tyre kërkojnë investime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, mbetemi besimplotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor”, tha Sejko.