Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë një ecuri pozitive, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar mbeten të qëndrueshëm. Vlerësimi është bërë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një takimi me Pierre Sentenac, drejtuesin e ri të Departamentit Ekonomik Rajonal të Ambasadës së Francës.
Në takimin e zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, Sejko prezantoi një panoramë të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, duke u ndalur edhe te roli i politikave të bankës qendrore në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua sektorit të turizmit, i cili është kthyer në një prej nxitësve të rëndësishëm të rritjes së ekonomisë shqiptare.
Në këtë drejtim, gjatë takimit u vlerësua edhe roli i sektorit bankar, përmes rritjes së financimit dhe mbështetjes së aktiviteteve ekonomike të lidhura me turizmin. Palët nënvizuan njëkohësisht rëndësinë që zgjerimi i këtij sektori të mbështetet në një model zhvillimi të qëndrueshëm.
Drejtuesi i ri i Departamentit Ekonomik Rajonal të Ambasadës së Francës, Pierre Sentenac, vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, si dhe kontributin e saj në forcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë.
Sentenac vlerësoi gjithashtu progresin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, duke e konsideruar atë një arritje të rëndësishme në rrugën e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Perspektivat ekonomike të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian ishin një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimit, së bashku me nevojën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.
Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, duke e cilësuar këtë të fundit si një partner të rëndësishëm europian për vendin. Ai i uroi Sentenac suksese në detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për vijimin dhe forcimin e marrëdhënieve me institucionet franceze.
Në përfundim të takimit, Sejko dhe Sentenac rikonfirmuan vullnetin për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve franceze, veçanërisht për çështjet me interes të përbashkët në fushën ekonomike dhe financiare.
