Besueshmëria e bankave qendrore, stabiliteti makroekonomik dhe integrimi financiar në Bashkimin Evropian ishin në qendër të mesazhit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një konference rajonale në Malin e Zi. Një nga zhvillimet konkrete të evidentuara prej tij ishte edhe implementimi i platformës TIPS Clone, sistemi i pagesave të shpejta që pritet të vihet në funksion në Shqipëri deri në fund të këtij viti dhe që synon të ulë kostot dhe kohën e transaksioneve për individët dhe bizneset.
Sejko e cilësoi besueshmërinë e bankave qendrore si një element thelbësor për forcimin e institucioneve dhe zbatimin efektiv të politikës monetare. Sipas tij, përvoja e viteve të fundit ka treguar se besimi te bankat qendrore është veçanërisht i rëndësishëm për ankorimin e pritjeve, ruajtjen e besimit dhe mbështetjen e stabilitetit makroekonomik në kushtet e goditjeve të njëpasnjëshme.
“Besimi ndërtohet mbi një kuadër të fortë institucional, politika të qëndrueshme dhe komunikim të qartë, transparent dhe efektiv me publikun”, ishte një nga mesazhet kryesore të Guvernatorit.
Duke iu referuar eksperiencës së Shqipërisë, Sejko theksoi rëndësinë e ruajtjes së një kuadri të qartë të politikës monetare, të mbështetur në regjimin e shënjestrimit të inflacionit dhe në një kurs këmbimi fleksibël.
Në të njëjtën kohë, ai veçoi reformat e ndërmarra për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. Në fokus janë përmirësimi i mjedisit të kreditimit dhe modernizimi i infrastrukturës së pagesave, ku një rol të rëndësishëm ka edhe anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, hap që e afron më tej vendin me infrastrukturën financiare evropiane.
Një prej elementeve me ndikim më të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset është zhvillimi i infrastrukturës së pagesave të shpejta.
Guvernatori Sejko bëri të ditur se platforma TIPS Clone, e cila bazohet në klonimin e sistemit evropian për pagesat e menjëhershme, pritet të implementohet në Shqipëri deri në fund të vitit.
Sipas tij, sistemi do të krijojë kursime në kohë dhe para për konsumatorët, individët dhe bizneset shqiptare.
Ky zhvillim shihet si pjesë e procesit më të gjerë të modernizimit të infrastrukturës financiare dhe përafrimit të saj me standardet evropiane.
Një tjetër mesazh i rëndësishëm i Guvernatorit lidhet me procesin e integrimit evropian. Sipas Sejkos, përafrimi me kuadrin rregullativ të BE-së duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.
Ai theksoi se integrimi evropian dhe përmbushja e mandateve të bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar nuk janë procese të ndara, por plotësojnë njëri-tjetrin. Harmonizimi me standardet e BE-së, sipas tij, ndihmon në rritjen e efektivitetit të politikave të bankave qendrore.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka vendosur si prioritete harmonizimin e kuadrit ligjor me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, përafrimin e kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator me standardet Basel III, si dhe modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës financiare.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA u veçua nga Guvernatori si një hap i rëndësishëm në integrimin e vendit në infrastrukturën financiare evropiane.
Në kombinim me zhvillimin e sistemeve të pagesave të menjëhershme, ky proces synon të krijojë një infrastrukturë financiare më moderne, më efikase dhe më të integruar me tregun evropian.
Mesazhet e Guvernatorit u dhanë gjatë konferencës së nivelit të lartë të organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi më 3–4 shtator, me pjesëmarrjen e guvernatorëve dhe ekspertëve të bankave qendrore të rajonit. Sejko ishte pjesë e panelit “Besueshmëria, hapësira e politikës monetare dhe përafrimi me BE-në në një mjedis sfidues”.
Gjatë vizitës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi gjithashtu një takim me Mateusz Szczurek, Drejtor i Departamentit Evropian pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutua mbi zhvillimet ekonomike e financiare në rajon, procesin e integrimit evropian dhe sfidat që e shoqërojnë atë. /ekofin.al



