Një amerikan që do të kalonte vitet e pensionit në Shqipëri, do të kishte nevojë për rreth 388 mijë dollarë kursime për të përballuar në mënyrë të rehatshme periudhën e mbetur të jetës, sipas një përllogaritjeje të bazuar në të dhënat e NetCredit dhe Numbeo. Në vlerësim është llogaritur një mesatare prej 14 vite e 8.4 muaj, aq sa vlerësohet jetëgjatësia e pensionit për amerikanët sipas statistikave.
Shqipëria renditet e 44-ta në listën e vendeve sipas kostos, në një pozicion ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë dhe dukshëm poshtë vendeve më të shtrenjta të Europës.
Në krahasimin rajonal, Shqipëria rezulton pak më e lirë se Mali i Zi, ku nevojiten rreth 395 mijë dollarë, ose 7 mijë dollarë më shumë. Por pensioni i modeluar kushton më pak në Serbi, me 359 mijë dollarë, rreth 29 mijë dollarë më pak se në Shqipëri. Edhe Turqia, me 361 mijë dollarë, rezulton më e lirë. Shqipëria mbetet gjithashtu më e lirë se Greqia, ku përllogaritja arrin në 406 mijë dollarë, por më e shtrenjtë se Rumania me 335 mijë dollarë dhe Bullgaria me 324 mijë dollarë. Në pjesën më të shtrenjtë të Evropës Qendrore dhe Lindore renditen ndër të tjera Sllovenia me 430 mijë dollarë, Estonia dhe Polonia me nga 438 mijë dollarë.

Në shkallë botërore, diferencat janë shumë më të mëdha. Singapori rezulton vendi më i shtrenjtë për një amerikan që kërkon të dalë në pension jashtë vendit, me një kosto të vlerësuar prej rreth 1.1 milion dollarësh, ndërsa Pakistani është më i liri, me 187 mijë dollarë.
Vetë Shtetet e Bashkuara renditen ndër vendet më të kushtueshme. Për një pension të rehatshëm në SHBA vlerësohen rreth 738 mijë dollarë, duke e vendosur vendin në pozicionin e pestë më të shtrenjtë të dataset-it, pas Singaporit, Islandës, Zvicrës dhe Luksemburgut.
Diferenca është e konsiderueshme edhe me vendet fqinje të SHBA-së. Në Kanada nevojiten rreth 598 mijë dollarë, ndërsa në Meksikë vetëm 356 mijë dollarë. Kjo do të thotë se i njëjti model pensioni në Meksikë do të kushtonte më pak se gjysmën e shumës së nevojshme në Shtetet e Bashkuara.
Edhe brenda Evropës hendeku është i madh. Kostoja e vlerësuar varion nga 893 mijë dollarë në Islandë në vetëm 267 mijë dollarë në Bjellorusi. Në grupin e vendeve më të shtrenjta hyjnë Zvicra me 859 mijë dollarë, Luksemburgu me 794 mijë, Irlanda me 702 mijë, Britania e Madhe me 627 mijë dhe Danimarka me 625 mijë dollarë.
Më në jug, kursimet zgjasin dukshëm më shumë. Portugalia dhe Spanja kërkojnë nga 478 mijë dollarë, ose rreth 260 mijë dollarë më pak se SHBA-ja, ndërsa Greqia zbret në 406 mijë dollarë. Më poshtë në renditje gjenden Mali i Zi me 395 mijë, Shqipëria me 388 mijë dhe Serbia me 359 mijë dollarë.
Në skajin tjetër të listës janë vetëm katër vende ku një pension i plotë vlerësohet se mund të financohet me më pak se 200 mijë dollarë. Pas Pakistanit me 187 mijë dollarë vijnë India me 189 mijë, si dhe Bangladeshi dhe Egjipti me nga 190 mijë dollarë.
Edhe disa ekonomi të mëdha mbeten nën pragun e 300 mijë dollarëve, përfshirë Brazilin me 268 mijë, Kinën dhe Kolumbinë me nga 279 mijë, Rusinë me 281 mijë, Malajzinë me 292 mijë dhe Vietnamin me 295 mijë dollarë.
Përllogaritja mbështetet në një periudhë pensioni prej 14 vjetësh e 8.4 muajsh, bazuar në moshën mesatare të daljes në pension dhe jetëgjatësinë në Shtetet e Bashkuara. Shifrat tregojnë sa mund të kushtojë jetesa e një pensionisti amerikan në vende të ndryshme, por nuk përfshijnë taksat dhe kostot shëndetësore, të cilat mund ta ndryshojnë ndjeshëm faturën reale të pensionit./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

