Kompania ajrore me kosto të ulët, Ryanair, ka njoftuar se nga nëntori do të pranojë vetëm karta imbarkimi digjitale. Pasagjerët do të duhet të bëjnë check-in online dhe të gjenerojnë kartën e imbarkimit në aplikacionin Ryanair. Karta e shtypur në letër nuk do të pranohet më.
Ky ndryshim ka ngritur pyetje edhe nga udhëtarë të tjerë mbi atë se çfarë ndodh nëse telefoni u mbaron baterinë, vidhet ose humbet lidhjen me internetin.
Ryanair do të pranojë vetëm karta imbarkimi digjitale nga 12 nëntori
Duke filluar më 12 nëntor, pasagjerët e Ryanair do të duhet të kenë kartën e imbarkimit vetëm në format digjital përmes aplikacionit myRyanair. Fillimisht, ndryshimi ishte planifikuar për më 3 nëntor, por u shty përtej periudhës kulmore të udhëtimeve gjatë pushimeve të mesit të vitit shkollor në MB.
Sipas kompanisë, vendimi u mor pasi gati 80% e pasagjerëve tashmë përdorin karta imbarkimi digjitale. Ajo shton se ky ndryshim ndjek shembullin e industrive të tjera si festivalet, koncertet dhe ngjarjet sportive, të cilat kanë kaluar me sukses në sistemin e biletave vetëm digjitale.
“Kalimi i Ryanair tek 100% karta imbarkimi digjitale do të sjellë një eksperiencë udhëtimi më të shpejtë, më inteligjente dhe më miqësore me mjedisin për klientët tanë,” tha Dara Brady, Drejtor i Marketingut i Ryanair.
Po nëse nuk mund ta aksesoj kartën time digjitale në smartphone?
Ka raste të ndryshme kur pasagjerët mund të mos jenë në gjendje të gjenerojnë ose të aksesojnë kartën e tyre digjitale të imbarkimit në aplikacionin Ryanair, përfshirë mungesën e një smartphone-i ose rënien e baterisë.
Në këto raste, Ryanair ka konfirmuar se udhëtarët mund të kërkojnë një kartë imbarkimi në letër në sportelet e check-in në aeroport. Kjo do të lëshohet falas, me kusht që pasagjeri të ketë kryer më parë check-in online.
E njëjta gjë vlen edhe për fluturimet që nisen nga Maroku, ku qeveria kërkon që pasagjerët të kenë karta imbarkimi të shtypura. Edhe në këtë rast, për sa kohë që është bërë check-in online, karta e imbarkimit do të lëshohet falas në sportelet e aeroportit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
