Rumania raportohet se po shqyrton nisjen e një programi “Golden Visa”, që do të ofrojë leje qëndrimi të përkohshme për investitorët jashtë BE-së në këmbim të angazhimeve të rëndësishme financiare në vend, raportoi Profit.ro.
Sipas projektligjit, skema e quajtur zyrtarisht “Programi i Qëndrimit përmes Investimit” (Residency by Investment Program) do t’u japë qytetarëve nga vendet e treta (jashtë Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane) një leje qëndrimi pesëvjeçare të rinovueshme, në këmbim të një investimi minimal prej 400 000 euro në Rumani.
Programi do të ofrojë vetëm të drejtën e qëndrimit, por përfituesit do të mund të aplikojnë për shtetësi rumune pas pesë vitesh qëndrimi të pandërprerë.
Opsionet e pranueshme të investimit përfshijnë: blerjen e obligacioneve shtetërore rumune me vlerë të paktën 400 mijë euro dhe me afat maturimi pesëvjeçar ose më shumë; blerjen e pasurive të paluajtshme me vlerë minimale 400 mijë euro, të mbajtura për të paktën pesë vjet; investime prej të paktën 400 mijë euro në fonde të autorizuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (ASF); ose blerjen e aksioneve në kompani rumune të listuara në bursë me vlerë minimale 400 mijë euro.
Aplikantët duhet të provojnë origjinën e ligjshme të fondeve, të mos jenë në listat ndërkombëtare të sanksioneve dhe të mos përbëjnë rrezik sigurie. Përpara lëshimit të lejeve të qëndrimit, do të kryhen verifikime të detyrueshme nga Shërbimi Rumun i Inteligjencës (SRI), Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme (SIE), Zyra Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Pastrimit të Parave (ONPCSB) dhe institucione të tjera shtetërore.
Investitorët që plotësojnë kushtet e programit do të përfitojnë leje qëndrimi pesëvjeçare të rinovueshme, të drejtën për të përfshirë anëtarët e familjes, si dhe akses në qëndrim të përhershëm dhe nënshtetësi pas pesë vjetësh.
Projektligji nuk kërkon një kohë minimale qëndrimi fizik vjetor në Rumani, por ruajtja e investimit kualifikues do të jetë e detyrueshme gjatë gjithë periudhës së qëndrimit./Përshtati nga Romania Insider, ekofin.al
