Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se edhe pak ditë kanë mbetur që rruga e re Kardhiq-Delvinë të mbarojë dhe të vihet në përdorim për të gjitha mjetet.
ARRSH publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga rruga e re e ndërtuar me të gjithë elementët dhe standardet e sigurisë.
Rruga Kardhiq – Delvinë është një nga akset kryesore në infrastrukturën rrugore të vendit. Puna për ndërtimin e saj ka vijuar intensivisht, me synimin që ky investim t’i japë një hov të mëtejshëm turizmit në vendin tonë.
Rruga Kardhiq–Delvinë shkurton me 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, dhe është një nga projektet e paketës transformuese për ekonominë dhe turizmin e të gjithë zonës.
Gjithashtu ky aks siguron lidhjen shumë më të shpejtë të Gjirokastrës me bregdetin, duke evituar Qafën e Muzinës, për të vijuar përmes Nivicës.
Punimet në aksin Kardhiq–Delvinë, me gjatësi 16 km, po vijojnë me intensitet, ndonëse në një terren tejet të vështirë. Ato do të përfundojë më 2 korrik.