Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar Planin 5-vjeçar të Zhvillimit të Rrjetit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për periudhën 2023–2027, i cili parashikon investime me vlerë mbi 53.5 miliardë lekë, ose rreth 587 milionë euro, duke përfshirë financimet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe kapitalin e huaj.
Vendimi nr. 292, i datës 20 tetor 2026, është publikuar sot në Fletoren Zyrtare dhe përfshin listën e detajuar të investimeve, nga ndërtimi dhe rikonstruksioni i nënstacioneve elektrike te fuqizimi i linjave të shpërndarjes, modernizimi i rrjetit, sistemet e matjes dhe teknologjitë e monitorimit.
Sipas dokumentit të miratuar, investimet e parashikuara me fondet e OSSH-së arrijnë në 47.54 miliardë lekë, ndërsa financimet me kapital të huaj llogariten në rreth 6 miliardë lekë.
Plani synon përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, reduktimin e humbjeve në rrjet dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e kërkesës së konsumatorëve, veçanërisht në zonat me zhvillim të shpejtë urban dhe turistik.
Viti 2027, investimet më të larta të periudhës
Nga shpërndarja vjetore e investimeve të financuara nga OSSH, rezulton se viti 2027 parashikohet të ketë volumin më të madh të financimeve, me rreth 12.45 miliardë lekë.
Për vitin 2026, plani përfshin 8.87 miliardë lekë investime me fondet e operatorit, ndërsa për vitet 2024 dhe 2025 janë parashikuar përkatësisht 11.83 miliardë dhe 11.62 miliardë lekë.
Këto shifra përfaqësojnë vlerat e planit të përditësuar dhe jo domosdoshmërisht investimet e realizuara në secilin vit.
Një pjesë e konsiderueshme e financimeve është orientuar drejt nënstacioneve elektrike, për të cilat parashikohen 11.81 miliardë lekë gjatë periudhës pesëvjeçare.
Një tjetër zë i rëndësishëm është ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të mesëm dhe të ulët, me rreth 15.74 miliardë lekë, ndërsa për ndërtimin e rrjetit të tensionit të mesëm janë parashikuar rreth 3.93 miliardë lekë.
Nënstacione të reja dhe fuqizim i rrjetit në disa qytete
Plani përfshin një numër të madh ndërhyrjesh në infrastrukturën elektrike të vendit, duke synuar eliminimin e pikave të dobëta të rrjetit dhe përmirësimin e furnizimit në zona me kërkesë të lartë.
Në Tiranë, ndër projektet e parashikuara përfshihet fuqizimi i nënstacionit Zogu i Zi, me një vlerë totale prej 650 milionë lekësh, si dhe ndërhyrje në nënstacionet Pallati i Kongreseve dhe Lanabregas.
Në zonën e Durrësit është përfshirë fuqizimi i nënstacionit Golem, me një vlerë prej 175 milionë lekësh, ndërsa në Shkodër parashikohen investime për rikonstruksionin e nënstacionit Shkodra 1 dhe përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes.
Në jug të vendit, investimet përfshijnë ndërtimin e nënstacionit të ri në Akërni dhe zhvillimin e linjës elektrike drejt Aeroportit të Vlorës, me një vlerë të planifikuar prej 427 milionë lekësh.
Gjithashtu, parashikohen ndërhyrje në nënstacionet e Delvinës, Xarës, Piqerasit dhe zona të tjera ku zhvillimi i turizmit dhe zgjerimi i aktivitetit ekonomik kërkojnë kapacitete më të mëdha furnizimi.
Në Fier përfshihet ndërtimi i nënstacionit të ri Fier 2, me vlerë 600 milionë lekë, ndërsa në Kuçovë parashikohet rikonstruksioni dhe fuqizimi i nënstacionit ekzistues, me vlerë 650 milionë lekë.
Investime edhe në matje dhe monitorimin e rrjetit
Një pjesë e planit i kushtohet modernizimit teknologjik të sistemit të shpërndarjes.
Për investimet në matje janë parashikuar rreth 1.87 miliardë lekë, ndërsa për një kategori tjetër investimesh në sistemin e matjes janë planifikuar 1.04 miliardë lekë.
Për teknologjitë e monitorimit të rrjetit janë parashikuar rreth 552 milionë lekë.
Këto investime synojnë të përmirësojnë administrimin e rrjetit, identifikimin e problemeve teknike dhe kontrollin e humbjeve, duke krijuar kushte për një sistem më efikas të shpërndarjes së energjisë.
Rreth 6 miliardë lekë financime me kapital të huaj
Përveç investimeve me fondet e veta, OSSH ka përfshirë në plan edhe projekte të financuara me kapital të huaj, me vlerë totale rreth 6.01 miliardë lekë.
Nga kjo shumë, rreth 3.25 miliardë lekë lidhen me financimet e bankës gjermane KfW, të cilat përfshijnë zgjerimin e sistemit SCADA, rikonstruksionin e nënstacioneve në rajonet Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e nënstacionit Kamzë–Valias.
Plani përfshin gjithashtu financim prej rreth 1.72 miliardë lekësh për nënstacionin Qendër, të lidhur me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe rreth 1.04 miliardë lekë në kuadër të bashkëpunimit italian për Himarën.
ERE vendos kontroll çdo gjashtë muaj për realizimin e investimeve
Një element i rëndësishëm i vendimit është detyrimi për monitorimin periodik të realizimit të planit.
ERE ka vendosur që OSSH të raportojë çdo gjashtë muaj mbi ecurinë e investimeve të parashikuara për vitet 2026–2027.
Raportimi duhet të përfshijë vlerat e planifikuara dhe ato të realizuara, ecurinë fizike dhe financiare të projekteve, si dhe shpjegimet për devijimet nga afatet apo kostot e miratuara.
Gjithashtu, operatori duhet të paraqesë ndikimin e investimeve në treguesit e performancës së rrjetit, përfshirë kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e ndërprerjeve të energjisë, energjinë e pafurnizuar dhe nivelin e humbjeve.
Çdo ndryshim i rëndësishëm në objektin, vlerën, parametrat teknikë apo afatet e investimeve duhet t’i njoftohet ERE-s dhe, kur kërkohet nga kuadri rregullator, t’i nënshtrohet një miratimi të ri. /ekofin.al
