Nga Mirilda Tili
Debati për moshën minimale të përdorimit të rrjeteve sociale po merr një dimension të ri në Europë. Komisioni Europian ka propozuar më 17 shtator 2026 EU KIDS Act, i cili parashikon ndalimin e aksesit të fëmijëve nën 13 vjeç në rrjetet sociale dhe një qasje të diferencuar për moshat e tjera. Sipas propozimit, fëmijët 13–14 vjeç do të mund të kenë vetëm llogari të kufizuara të krijuara dhe të mbikëqyrura nga prindërit, ndërsa mosha minimale për një llogari personale do të jetë 15 vjeç.
Propozimi europian shkon përtej një kufiri të thjeshtë moshe. Për moshat 13 deri në 15 vjeç parashikohen llogari me funksione të kufizuara dhe kufizim kohe, ndërsa për 15–18 vjeç platformat do të kenë detyrime për një dizajn më të sigurt. Komisioni kërkon gjithashtu që platformat të provojnë se shërbimet e tyre janë të përshtatshme dhe të sigurta për fëmijët.
Nëse një qasje e tillë do të konsiderohej edhe në Shqipëri, pyetja nuk është vetëm nëse duhet vendosur një kufi moshe, por edhe si do të zbatohej ai dhe sa përgjegjësi do t’u lihej platformave, prindërve dhe shkollës.
Për ekofin.al, sociologia Suela Koçibellinj dhe analistja e kripto-aseteve Nertila Bardhi ndajnë një shqetësim të përbashkët: ekspozimi i hershëm dhe përdorimi i pakontrolluar i teknologjisë po krijon rreziqe të reja për fëmijët dhe nuk mund të trajtohet vetëm si çështje e zgjedhjes individuale të familjeve.
Koçibellinj: Duhet vendosur një kufi
Sociologia Suela Koçibellinj e konsideron kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale, lojërat online dhe chatbot-et me inteligjencë artificiale si një masë të nevojshme. Sipas saj, fëmijët sot përballen me një teknologji që u ofron mundësi, por njëkohësisht mund t’i privojë nga aspekte të rëndësishme të zhvillimit njerëzor dhe t’i vendosë në situata pasigurie.

Koçibellinj i referohet ndikimeve të raportuara në studime mbi zhvillimin psikosocial të fëmijëve, duke përmendur uljen e përqendrimit, dobësimin e aftësive të komunikimit, mungesën e gjumit, si edhe konfliktet virtuale dhe kontaktet me persona të panjohur me qëllime keqdashëse.
Një shqetësim tjetër, sipas saj, lidhet me mënyrën se si janë ndërtuar platformat. Ajo argumenton se elementët që nxisin përdorimin e vazhdueshëm mund të ndikojnë më fort te fëmijët, të cilët nuk kanë ende pjekurinë e nevojshme për të dalluar manipulimin, përmbajtjen e dëmshme apo rrezikun që mund të fshihet pas një profili ose bisede online.
Megjithatë, sociologia nuk e sheh ndalimin si zgjidhje të vetme.
“Patjetër që ndalimi është një masë e fortë, por nuk mjafton”, është thelbi i qëndrimit të saj. Sipas Kocibellinjt, paralelisht duhen më shumë përgjegjësi nga kompanitë teknologjike, edukim digjital në shkolla dhe më shumë mbështetje për prindërit.
Për të, kufizimi i aksesit duhet të shërbejë si pikënisje për një raport të ri mes fëmijëve dhe teknologjisë, ku mjetet digjitale t’u shërbejnë fëmijëve dhe të mos zëvendësojnë përvojat sociale dhe zhvillimin e tyre.
Bardhi: Teknologjia është mjet, jo stil jetese
Në të njëjtën linjë, por nga këndvështrimi i saj si analiste e kripto-aseteve dhe prind, Nertila Bardhi argumenton se problemi nis edhe nga mënyra se si shoqëria e percepton teknologjinë.
Sipas saj, teknologjia duhet përdorur si mjet pune dhe si burim alternativ informacioni, por nuk duhet kthyer në stil jetese apo “enciklopedi”.

Bardhi e mbështet vendosjen e kufizimeve ligjore për fëmijët dhe argumenton se përgjegjësia për të gjetur mënyrat e verifikimit dhe parandalimit të përdoruesve nën moshën e përcaktuar duhet t’u kalojë kompanive teknologjike.
Shqetësimi i saj nuk lidhet vetëm me kohën që fëmijët kalojnë para ekranit. Ajo përmend ndikimet që përdorimi i tepruar mund të ketë në zhvillimin fizik, komunikimin social dhe zhvillimin e aftësive të fëmijëve. Në përvojën e saj personale si nënë, ajo thotë se pediatri i ka rekomanduar shmangien e ekspozimit të hershëm ndaj telefonit, veçanërisht për shkak të ndikimit që mund të ketë në aftësitë e të folurit dhe komunikimit social.
Një tjetër rrezik që ajo ngre është kontakti i fëmijëve me pedofilë dhe agresorë seksualë në internet, veçanërisht në platformat ku komunikimi me persona të panjohur është i lehtë.
Bardhi shkon edhe më tej në propozimin e saj: kufiri mund të shqyrtohet edhe përtej moshës 13 vjeç, deri në 16 vjeç, në varësi të mënyrës se si do të hartohej dhe zbatohej një politikë e tillë.
Çfarë mund të bëhet në Shqipëri?
Nga propozimet e dy eksperteve dalin disa drejtime konkrete për diskutim publik në Shqipëri: vendosja e një moshe minimale për aksesin në rrjetet sociale; verifikimi më efektiv i moshës nga platformat; llogari dhe funksione të përshtatura për grupmosha të ndryshme; kontrolle prindërore më të forta; edukim digjital në shkolla dhe programe orientuese për prindërit.
Një element tjetër është mënyra se si fëmijët mësojnë teknologjinë. Bardhi sugjeron që një fëmijë që rrezikon të mbetet pas në aftësitë teknologjike nuk ka pse ta zhvillojë këtë aftësi vetëm duke konsumuar përmbajtje. Ai mund të mësojë, për shembull, të programojë një lojë të thjeshtë, duke e përdorur teknologjinë në mënyrë krijuese dhe jo vetëm si konsumues.
Kjo lidhet edhe me idenë e Kocibellinjt për një marrëdhënie më të sigurt me teknologjinë: qëllimi nuk është ta largosh fëmijën nga teknologjia, por të vendosësh kufij dhe kushte në mënyrë që teknologjia të mos zëvendësojë gjumin, komunikimin, lojën, marrëdhëniet sociale dhe zhvillimin normal të fëmijës.
Në këtë kuadër, debati europian është tashmë më i gjerë se një ndalim i TikTok-ut apo Facebook-ut. Propozimi i Komisionit Europian përfshin një qasje të diferencuar sipas moshës dhe synon të vendosë më shumë përgjegjësi mbi platformat, përfshirë detyrimin që ato të provojnë sigurinë e shërbimeve për të miturit. Propozimi ende duhet të kalojë procesin ligjvënës europian përpara se të bëhet ligj.
Për realitetin tonë, pyetja tashmë është nëse dhe si ky debat europian duhet të kthehet në një debat kombëtar: sa vjeç duhet të jetë një fëmijë për të pasur llogarinë e tij, kush duhet të kontrollojë moshën dhe, mbi të gjitha, kush mban përgjegjësinë kur teknologjia nuk është më thjesht mjet, por bëhet pjesë e pandashme e fëmijërisë. /ekofin.al
