Importi i kafshëve të gjalla në muajin prill ka shënuar rekord që nga viti 2005, kur INSTAT disponon të dhëna për këtë çështje. Shifrat flasin për rreth 744 milionë lekë import të kafshëve të gjalla në prill, duke u rritur me 60.9%, krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë si partner kryesor Greqinë me rreth 176 milionë lekë import në muajin prill, pasuar nga Rumania, Hungaria, Kosova dhe Italia.
Importet e kafshëve të gjalla për mish janë në rritje vit pas viti, por këtë vit tendenca ka qenë edhe më e fortë. Në katërmujorin e parë të vitit, vlera e importit të kafshëve të gjalla arriti në 2.5 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 63%.
Rritja e fortë e turizmit duket se ka nxitur edhe kërkesën për produkte të mishit në vendin tonë. Por një arsye tjetër mund të jetë edhe rënia e numrit të bagëtive në vend, sidomos gjatë viteve të fundit. Ekofin.al
