Është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi që specifikon rritjen e pagave sipas kategorive për punonjësit e Forcave të Armatosura.
1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen: a) ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë: oficerë aktivë, nënoficerë aktivë dhe ushtarë aktivë; b) kursantët, kandidatët për ushtarë.
2. Elementet përbërëse të pagës për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, me përjashtim të ushtarakëve aktivë të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura, janë, si më poshtë vijon:
a) paga bazë për gradë, që shpërblen vlerën relative të çdo grade, sipas hierarkisë së gradave dhe sipas viteve të shërbimit për oficerët aktivë, nënoficerët aktivë dhe ushtarët aktivë;
b) shtesa për kushte të veçanta pune e shërbimi, që aplikohet në një vlerë të caktuar, bazuar në pozicionet e punës, kur ushtarakët e shërbimit aktiv punojnë në pozicione pune të një natyre të veçantë pune e shërbimi;
c) shtesa për dëmshmëri shëndeti, që aplikohet në një vlerë të caktuar, kur ushtarakët e shërbimit aktiv punojnë në pozicione pune në kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin.
3. Elementet përbërëse të pagës për ushtarakët aktivë të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura janë, si më poshtë vijon: a) paga për titull akademik/gradë shkencore/ kualifikim shkencor, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni, sipas hierarkisë së pozicioneve të punës, në institucionet e arsimit të lartë publik; b) shtesa për vjetërsi në punë, që aplikohet për çdo ushtarak të shërbimit aktiv, të personelit akademik, në Akademinë e Forcave të Armatosura, bazuar në vitet e punës së çdo ushtaraku, dhe llogaritet në masën 0,5 (zero presje pesë) % për çdo vit pune, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet; c) shtesa për kushte të veçanta pune dhe shërbimi.
4. Vlerat e elementit “pagë bazë për gradë”, sipas gradës dhe viteve të shërbimit, për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, janë sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Vlerat e elementit “pagë për titull akademik/ gradë shkencore/kualifikim shkencor”, sipas gradës ushtarake dhe pozicionit të punës, për ushtarakët e shërbimit aktiv, të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe masa e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi për ta, janë sipas lidhjes nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Masat e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura përcaktohet, si më poshtë vijon: a) për ushtarakët e shërbimit aktiv të personelit fluturues dhe mbështetës të fluturimeve, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përcaktohet sipas lidhjes nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij; b) për ushtarakët e shërbimit aktiv në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përcaktohet sipas lidhjes nr. 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Pozicionet për të cilat zbatohet kjo shtesë, në funksione operacionale, operacionale mbështetëse dhe mbështetëse, në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, përcaktohen në urdhrin e Kryeministrit për miratimin e strukturës e të organikës së kësaj agjencie; c) për ushtarakët e tjerë të shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk janë pjesë e lidhjeve nr. 3 dhe nr. 4, me përjashtim të ushtarakëve të shërbimit aktiv të personelit akademik, me tituj akademikë dhe grada/kualifikime shkencore, përcaktohet sipas lidhjes nr. 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Masa e shtesës mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët punojnë në vende të vështira pune, përcaktohet sipas lidhjes nr. 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ushtarakët, funksioni i të cilëve përmban dy apo më shumë emërtime, që përfitojnë shtesë për punë të vështirë e të dëmshme në shëndet, trajtohen vetëm me një shtesë, sipas kësaj lidhjeje.
8. Ushtarakët e shërbimit aktiv, në Njësinë e Mjekësisë Ushtarake, pranë Spitalit Universitar të Traumës, që janë të emëruar në pozicionet “drejtor”, “zëvendësdrejtor”, “shef shërbimi” apo “shef reparti”, shtesën për punë të vështirë e të dëmshme për shëndetin e përfitojnë sipas specialitetit dhe jo sipas pozicionit, ku janë emëruar.
9. Ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët punojnë në pozicione, që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura, pjesë të strukturave të TIK-ut, si dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave/Master profesional/Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Teknologji informacioni”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Shkenca kompju[1]terike”, “Informatikë ekonomike” “Informatikë biznesi”, “Inxhinieri matematike informatike” apo “Inxhinieri matematike (në analiza sistemesh)”, përfitojnë shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën 7 500 (shtatë mijë e pesëqind) lekë në muaj. Zbatimi i shtesave si më sipër për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike, bazuar në përshkrimin e pozicionit të punës. Në rast se për pozicionet e sipërpërmendura, nëpërmjet këtij vendimi, parashikohen shtesa të tjera për kushte të veçanta pune e shërbimi, oficerët aktivë do të zgjedhin ndërmjet dy shtesave, por, në asnjë rast, nuk mund t’i përfitojnë të dyja shtesat.
10. Kursantët, kandidatë për ushtarë, gjatë kohës që ndjekin kurset për t’u certifikuar “ushtar”, përfitojnë trajtim me pagesë në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.
11. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagë të përcaktuara me vendime të tjera të Këshillit të Ministrave. Ekofin.al







