Tarifa të reja dhe më të diferencuara për përdorimin e zonave të mbrojtura. Projektvendimi parashikon pagesa për hyrjen e vizitorëve, kampingjet, aktivitetet sportive e turistike, filmimet, ankorimin e mjeteve lundruese, përdorimin e sipërfaqeve dhe grumbullimin e produkteve natyrore. Të ardhurat do të administrohen edhe nga Zyrat e Administrimit të Parqeve Kombëtare dhe do të përdoren për menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Shfrytëzimi ekonomik dhe turistik i zonave të mbrojtura pritet të bëhet më i kushtueshëm, ndërsa sistemi i tarifave do të shtrihet në një numër më të madh aktivitetesh. Projektvendimi i Ministrisë së Mjedisit propozon ndryshime në VKM-në nr. 1156, datë 24 dhjetor 2020, duke përditësuar tarifat dhe duke ndryshuar mënyrën e administrimit të të ardhurave që krijohen prej tyre.
Ndryshimi lidhet jo vetëm me nivelin e tarifave, por edhe me riorganizimin e administrimit të parqeve kombëtare. Me përfshirjen e Zyrave të Administrimit të Parqeve Kombëtare (ZAPK), këto struktura do të kenë rol të drejtpërdrejtë në mbledhjen, planifikimin dhe përdorimin e të ardhurave që krijohen brenda territoreve që administrojnë.
Sipas relacionit shoqërues, tarifat aktuale nuk janë përditësuar që prej vitit 2020 dhe nuk reflektojnë më rritjen e kostove të administrimit, fluksin turistik dhe diversifikimin e aktiviteteve në zonat e mbrojtura. Qeveria argumenton se sistemi i ri synon të zbatojë më qartë parimin “përdoruesi paguan”, duke bërë që aktivitetet me përfitim më të madh ekonomik ose me ndikim më të lartë në territor të kontribuojnë më shumë në financimin e ruajtjes së tij.
200 lekë për hyrjen në park
Një nga ndryshimet më të dukshme lidhet me hyrjen në parqet e menaxhuara për vizitorët që nuk janë banorë lokalë.
Sipas tarifave të propozuara, vizitorët dhe turistët që hyjnë në këmbë ose me biçikletë do të paguajnë 200 lekë në ditë për person. Për automjetet, tarifa nis nga 150 lekë në ditë për mjetet me kapacitet deri në pesë persona dhe rritet në mënyrë progresive sipas numrit të personave.
Për mjetet me kapacitet 6–10 persona tarifa është 200 lekë në ditë, për ato me 11–20 persona 250 lekë, për 21–50 persona 300 lekë, ndërsa për mjetet me kapacitet mbi 51 persona arrin në 500 lekë në ditë.
Vendet ku do të aplikohet hyrja me akses të kontrolluar do të përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës.
Kampingjet: deri në 3 mijë lekë nata
Edhe qëndrimi në kampingje do të tarifohet sipas llojit të akomodimit. Për një çadër deri në tre persona tarifa është 700 lekë në ditë, ndërsa për çadrat me më shumë se katër persona shkon në 1 mijë lekë në ditë.
Për rulota tarifa përcaktohet në intervalin 1,500–2,500 lekë në ditë, ndërsa për barakat prej druri arrin në 3 mijë lekë në ditë.
Projektvendimi përcakton se kampingu do të lejohet vetëm në zonat e dedikuara posaçërisht për këtë qëllim.
Hiking 300 lekë, rafting 350 lekë
Aktivitetet sportive dhe rekreative në natyrë marrin tarifa të veçanta. Për hiking parashikohen 300 lekë në ditë për person, ndërsa kayaking kushton po 300 lekë. Për rafting tarifa është 350 lekë për person në ditë.
Për aktivitete të tjera ekoturistike tarifa shkon deri në 1,300 lekë në ditë për person.
Edhe aktivitetet artistike do të tarifohen, me një pagesë prej 13 mijë lekësh në ditë për çdo aktivitet.
Në rastin e garave të organizuara në zonat ku ato lejohen, tarifat variojnë sipas mjetit. Për automjetet parashikohen 3,500 lekë në ditë për mjet, për motoçikletat 2 mijë lekë, ndërsa për biçikletat 200 lekë.
Për aktivitetet në ujë, tarifa shkon nga 350 lekë për kanoet me 1–3 persona deri në 1,200 lekë për kanoet me mbi 10 persona.
Jahte dhe varka: deri në 13 mijë lekë në ditë
Një tjetër tarifë e re lidhet me ankorimin e mjeteve të lundrimit. Për mjetet me kapacitet deri në pesë persona dhe motorët e ujit parashikohen 1,300 lekë në ditë, ndërsa ankorimi i varkave dhe skafeve me mbi pesë persona kushton 2 mijë lekë në ditë.
Për jahte dhe mjete të tjera lundruese tarifa arrin në 13 mijë lekë në ditë për mjet.
Filmimet komerciale bëhen më të kushtueshme
Projektvendimi diferencën e qartë midis përdorimit gazetaresk të imazheve dhe përdorimeve komerciale.
Filmimet për kinema tarifohen me 100 mijë lekë për çdo minutë deri në 20 minuta, ndërsa për çdo minutë pasuese tarifa është 40 mijë lekë.
Për produktet televizive, multimediale ose videoklipet parashikohet një tarifë nga 400 deri në 200 mijë lekë në ditë, ndërsa prodhimi i spoteve reklamuese tarifohet me 40 mijë lekë për çdo sekondë të kohëzgjatjes.
Për përdorimin e fotografive të marra në zonat e mbrojtura për botime fotografike dhe revista, me përjashtim të botimeve shkencore, tarifa përcaktohet në 15–30 mijë lekë për fotografi.
Ndërkohë, autorizimi për shitjen te palët e treta të produkteve të realizuara me imazhe të marra në zonat e mbrojtura do të tarifohet me trefishin e tarifave përkatëse.
E drejta gazetareske përbën përjashtim nga tarifa e filmimeve të parashikuara për përdorime komerciale.
Bizneset dhe sipërfaqet: deri në 3 mijë lekë për m² në vit
Projektvendimi rishikon edhe tarifat për dhënien në përdorim të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura për veprimtari ekonomike.
Për objekte tregtie, bare, restorante dhe hotele tarifa parashikohet në 800–1,000 lekë për m² në vit, ndërsa për qendra ose komplekse pushimi, kurimi dhe turistike arrin në 1,200–1,500 lekë për m² në vit.
Vendosja e antenave të telefonisë, televizionit dhe radiokomunikimit tarifohet me 2 mijë lekë për m² në vit.
Për operacione si shpim-kërkimi për ujë, gaz dhe naftë, shtrirje tubacionesh, ndërtim linjash të tensionit të lartë, kanalesh, ndërhyrje gjeologjike e minerare, gërmime dhe depozitime materialesh, tarifa shkon në 2,000–3,000 lekë për m² në vit.
Për kultivimin e bimëve mjekësore, aromatike dhe eterovajore parashikohen 3 lekë për m² në vit, ndërsa për mbarështimin e faunës së egër 10 lekë për m² në vit.
Tarifat për produktet e natyrës
Lista e re ruan dhe përcakton pagesa për grumbullimin dhe përdorimin e produkteve të ndryshme nga zonat e mbrojtura.
Për shembull, kërpudhat do të tarifohen me 8,000–10,000 lekë për kv, ndërsa për tartufin tarifa është shumë më e lartë, 600 mijë lekë për kv.
Mbledhja e bimëve mjekësore për qëllime jotregtare kushton 10 lekë/kg, ndërsa për qëllime tregtare 250–300 lekë/kg. Për frytet, farat dhe sythat tarifa është 1,000–1,200 lekë për kv, ndërsa për lëvoren 600 lekë për kv.
Edhe kullotja me leje dhe ngritja e staneve do të tarifohen sipas llojit të kafshës. Për gjedhët tarifa është 500 lekë për krerë në vit, për të leshtat 100 lekë, për të dhirtat 250 lekë, për derrat 300 lekë dhe për njëthundrakët 600 lekë. Për gomarët tarifa është 200 lekë për krerë në vit, ndërsa për kosheret e bletëve vetëm 1 lek për koshere në vit.
Ekspertizat dhe autorizimet
Edhe shërbimet administrative do të tarifohen. Dhënia e autorizimeve dhe lejeve të ndryshme do të kushtojë 5 mijë lekë për kërkesë, ndërsa dhënia e të dhënave statistikore, hartave dhe të dhënave për florën e faunën e egër do të kushtojë 15 mijë lekë për kërkesë.
Ekspertiza në terren do të tarifohet me 50 mijë lekë për kërkesë.
Tarifa e shërbimit do të jetë e pakthyeshme edhe në rast se kërkesa nuk miratohet përfundimisht nga autoriteti kompetent.
Të ardhurat do të mbeten në dispozicion të menaxhimit
Një nga ndryshimet kryesore institucionale është zgjerimi i rolit të ZAPK-ve. Deri tani, sistemi i VKM-së ishte i orientuar kryesisht drejt AKZM-së, ndërsa projektvendimi krijon një ndarje të re të përgjegjësive.
Të ardhurat nga tarifat do të administrohen nga AKZM-ja, me përjashtim të të ardhurave të siguruara brenda territorit të zonave që administrohen nga ZAPK-ja përkatëse.
AKZM-ja dhe ZAPK-ja do të hartojnë çdo vit planet për të ardhurat dhe përdorimin e tyre. Në rastin e ZAPK-ve, planifikimi do të propozohet nga njësia përgjegjëse për menaxhimin dhe do të miratohet nga drejtori i ZAPK-së.
Projektvendimi parashikon gjithashtu që të ardhurat të kanalizohen përmes llogarisë së thesarit dhe të përdoren si të ardhura jashtë limitit. Fondet e papërdorura do të jenë të trashëgueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas relacionit, këto të ardhura synohen për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit, mirëmbajtjen e infrastrukturës, përmirësimin e shërbimeve për vizitorët, pajisjet, transportin dhe kushtet e punës së strukturave që administrojnë zonat e mbrojtura. /ekofin.al
