Tremujori i parë i vitit regjistroi një rritje të lehtë të interesave të kredisë së re për bizneset, si në lekë ashtu edhe në euro.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, norma mesatare e interesit e kredive në lekë u rrit në 5.8%, nga 5.7% që ishte në tremujorin paraardhës dhe nga 5.5% që shënonte mesatarisht dy vitet e fundit.
Sipas BSH-së, rritje e lehtë e interesave konsistoi edhe tek segmenti i bizneseve me kredi mbi 35 milionë lekë.
Norma mesatare e kësaj kategorie rezultoi 5.9% nga 5.6% që ishte mesatarisht në dy tremujorët paraardhës. Kjo tregon se bankat kanë rritur disi interesat për ekspozimet më të mëdha, konfirmuar më tej nga fakti se rritja e normave të interesit është edhe më e theksuar sidomos tek segmenti i kredive me vlerë më të madhe se 140 milionë lekë. Interesi i kësaj kategorie rezultoi 6.5% dukshëm më lart se mesatarja e vitit të kaluar, prej 5.6%.
Edhe interesi i kredisë në euro i bizneseve regjistroi një rritje të lehtë këtë tremujor, duke rezultuar 4.9% nga 4.6% që ishte një tremujor më parë dhe nga 4.5% në vitin 2021.
Ashtu si tek kredia në Lekë, interesat e kredisë këtë tremujor u rritën kryesisht tek segmenti mbi 250 mijë euro.