Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) regjistroi 684 çështje të reja në vitin 2024.
Kjo vlerë tregon për prirjen në rritje të çështjeve të regjistruara me 25%, në vështrim krahasues me vitin 2023. Shpërndarja e çështjeve të regjistruara sipas natyrës për vitin referues, rezulton në 96% çështje penale administrative duke mbizotëruar si kategori çështjesh; 2.5% çështje me natyrë krim, një përqindje kjo e ulët, krahasuar me totalin e çështjeve të regjistruara; dhe 1.5% e çështjeve të ligjit antimafia, duke përfaqësuar pakicë në shifra, por rëndësi të veçantë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar pastrimit të dhe parave.
Në total për vitin për vitin 2024, ngarkesa e GJKKO-së rezulton në 3,585 çështje, nga të cilat 94% çështje penale administrative, duke konfirmuar se kjo kategori mbizotëron në punën e gjykatës; 4.5% e çështjeve i përkasin kategorisë krime, një përqindje e vogël në raport me totalin e ngarkesës; 1.5% e ngarkesës përbëhet nga çështje të ligjit antimafia, një kategori që ka mbetur e qëndrueshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Treguesi i rendimentit për vitin 2024 është 331.7 çështje për gjyqtar, një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin 2023, kur ky tregues ishte 311.2 çështje për gjyqtar.
Rritja e rendimentit me 6.6% është një zhvillim pozitiv, por nëse numri i çështjeve vazhdon të rritet, mund të lindë nevoja për strategji shtesë në menaxhimin e ngarkesës së gjykatës.
Për sa i përket normës së likuidimit në vitin 2024, ajo paraqitet në vlerën 98.8%, një ulje prej 2.1% krahasuar me vitin 2023, kur ky tregues ishte 100.9%.
Gjykata nuk ka arritur të përfundojë të gjitha çështjet e reja të regjistruara, duke bërë që një pjesë e tyre të mbarten në vitin 2025. Rënia e normës së likuidimit lidhet me natyrën dhe kompleksitetin e çështjeve, të cilat kanë ndikuar në kohëzgjatjen e shqyrtimit.
Pavarësisht uljes së vogël të normës së likuidimit, treguesi prej 98.8% mbetet në nivele të larta, duke treguar një menaxhim të mirë të ngarkesës.
Nga leximi i vlerës së treguesve, për vitin 2023 zgjidhja e një çështjeje zgjaste mesatarisht në 16.4 ditë, në vitin 2024 palët për zgjidhjen e një çështjeje pritën mesatarisht 18 ditë. Vërehet kështu një rritje e moderuar e kohës së nevojshme për evadimin e çështjeve, tregues i ngadalësimit në shqyrtimin e tyre.
Çështjet me ndjeshmëri të lartë kanë pasur rritje të kohëzgjatjes së shqyrtimit. Çështjet e korrupsionit, nga 136 ditë në vitin 2023 në 169 ditë në vitin 2024 (+33 ditë); çështjet e krimit të organizuar, nga 431 ditë në vitin 2023 në 426 ditë në vitin 2024 (-5 ditë). Ndërsa çështjet e ligjit antimafia, nga 106 ditë në vitin 2023 në 119 ditë në vitin 2024 (+13 ditë).
Në përgjithësi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet një ndër gjykatat më efiçente në sistemin gjyqësor, me ritme të mira shqyrtimi, por me sfida në menaxhimin e rritjes së ngarkesës dhe trajtimin e çështjeve komplekse, përfundon raporti. /ekofin.al
