Turizmi në Shqipëri vijon të shënojë rritje gjatë sezonit veror. Në gusht 2026, numri i vizitorëve që qëndruan në strukturat akomoduese u rrit me 10.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa net-qëndrimet shënuan një rritje edhe më të lartë, prej 12.5%.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja përfshiu si vizitorët rezidentë, ashtu edhe ata jo-rezidentë. Numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 9%, ndërsa ai i vizitorëve jo-rezidentë me 10.7%.
Në të njëjtën kohë, net-qëndrimet e vizitorëve rezidentë u shtuan me 9.8%, ndërsa ato të vizitorëve të huaj me 13.4%. Rritja më e shpejtë e net-qëndrimeve krahasuar me numrin e vizitorëve tregon se aktiviteti akomodues përfitoi jo vetëm nga më shumë vizitorë, por edhe nga një numër më i madh netësh të kaluara në strukturat turistike.
Hotelet shfrytëzojnë më shumë kapacitetet
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 67.4% në gusht 2026, nga 61.5% në gushtin e një viti më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej 5.9 pikësh përqindjeje dhe sinjalizon përdorim më të lartë të kapaciteteve akomoduese gjatë muajit kulmor të sezonit turistik.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se hotelet dhe strukturat e ngjashme vijojnë të përbëjnë kategorinë kryesore të akomodimit. Në gusht, kjo kategori regjistroi 216,814 vizitorë rezidentë dhe 644,186 vizitorë jo-rezidentë, kundrejt përkatësisht 196,511 dhe 585,470 një vit më parë.
Edhe akomodimet për pushime dhe qëndrime afatshkurtra shënuan rritje të vizitorëve të huaj, nga 57,989 në 65,561. Ndërkohë, vizitorët jo-rezidentë në kampingje dhe struktura të ngjashme u rritën nga 6,649 në 10,190.
Kosova kryeson tregjet e huaja
Kosova mbetet vendi kryesor i origjinës së vizitorëve të huaj që u akomoduan në Shqipëri gjatë gushtit, me 17% të totalit.
Pas saj renditet Polonia, me 12%, e ndjekur nga Italia me 10%. Vizitorët nga Franca përbëjnë 8% të totalit, ndërsa ata nga Gjermania 7%. Pjesa tjetër, prej 46%, vjen nga vende të tjera.
Të dhënat evidentojnë peshën e tregjeve rajonale dhe evropiane në kërkesën për akomodim në Shqipëri, si dhe diversitetin e origjinës së turistëve të huaj.
Veriu dhe Jugu tërheqin më shumë vizitorë të huaj
Sipas ndarjes rajonale të INSTAT, Rajoni i Veriut regjistroi 241,765 vizitorë jo-rezidentë në gusht 2026, nga 205,467 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në Rajonin e Jugut, numri i tyre u rrit nga 206,248 në 244,132.
Ndërsa Rajoni Qendër shënoi një rënie të lehtë të vizitorëve të huaj, nga 238,393 në 234,040.
Zonat bregdetare vijuan të dominonin në aktivitetin akomodues. Ato regjistruan 573,106 vizitorë jo-rezidentë, nga 516,167 në gusht 2025. Në zonat jo-bregdetare, numri i vizitorëve të huaj u rrit nga 133,941 në 146,831.
Edhe vizitorët rezidentë u përqendruan kryesisht në zonat bregdetare, ku numri i tyre arriti në 198,369, nga 176,487 një vit më parë.
Shifrat e gushtit tregojnë një ecuri pozitive të aktivitetit akomodues, me rritje të vizitorëve, net-qëndrimeve dhe shfrytëzimit të dhomave në hotele. Megjithatë, këta tregues matin aktivitetin e strukturave akomoduese dhe nuk përfaqësojnë vetë të gjithë fluksin turistik, pasi vrojtimi i INSTAT nuk përfshin vizitorët dhe strukturat e paregjistruara./ekofin.al

