Rruga Korçë-Ersekë, e nisur shumë vite më parë, por që ende nuk ka përfunduar, do të kërkojë fonde të reja nga Buxheti i Shtetit. Loti i parë i rrugës, me një distancë prej 18 km ka përfunduar disa vite më parë, por ai që po kthehet në problematik është loti i dytë prej 17 km.
Së fundmi, ARRSH ka njoftuar rritjen e vlerës së përgjithshme të kontratës për ndërtimin e lotit të dytë, me rreth 4.3 milionë euro shtesë, pa TVSH, duke e çuar vlerën e përgjithshme për këtë segment në 26 milionë euro, pa TVSH.
Ishte parashikuar që kjo rrugë të përfundonte vitin e kaluar, por tashmë me rishikimin e kontratës dhe me shtimin e kostove, janë rritur edhe afatet për përfundimin e saj. Në mars të këtij viti rruga Korçë-Ersekë u shemb pa u inauguruar, duke u bërë e pakalueshme. Shembja ndodhi në vendin e quajtur Qafa e Qarrit. Por, fondet shtesë dhe modifikimi që i është bërë projektit nuk ka lidhur me segmentin e shembur. Kjo, pasi, segmenti i shembur po sistemohet me paratë e vetë kompanisë ndërtuese.
ARRSH nuk ka hapur tender të ri për punimet shtesë, por ato do të realizohen nga kompania ANK, që ka qenë fituese e projektit fillestar, duke argumentuar se kjo formë rezulton më pak e kushtueshme. Gjithashtu, kontrata shtesë nuk kalon 20% të vlerës së kontratës bazë, që është pragu i lejuar nga legjislacioni në fuqi për modifikimin e kontratave. Autoriteti kontraktor vlerëson se kostoja e përgjithshme e punimeve shtesë është 19 %.
Sa i takon ndryshimeve të projektit, në dokumente thuhet se është kryer rishikim i projektit të urës mbi përroin e Selenicës, pasi gjatë zbatimit rezultoi se ura e parashikuar në projektin e tenderuar nuk e mbulonte gjerësinë e shtratit të lumit, i cili në periudha të ndryshme të vitit zgjeron shtratin e tij.
Modifikimi i kontratës është firmosur në 30 gusht, ndërsa afati për përfundimin e punimeve ka shkuar në 22 muaj, nga 18 muaj që ishte afati fillestar. /ekofin.al
