Mijëra persona dolën në rrugë në disa qytete të Spanjës të shtunën, ndërsa protestuesit po kërkojnë një grevë të përgjithshme, një ditë pasi Parlamenti rrëzoi dy dekrete të qeverisë që synonin të forconin mbrojtjen e qiramarrësve.
Në Madrid, sipas organizatorëve, rreth 500 mijë persona morën pjesë në demonstrata, ndërsa autoritetet e vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 70 mijë. Aktivistët kanë ngritur prej rreth një jave një kamp në Puerta del Sol, një nga sheshet kryesore turistike të kryeqytetit.
Pjesëmarrësit mbanin pankarta me mbishkrimin “Grevë e përgjithshme” dhe brohorisnin slogane si “Poshtë qiratë”.
Protesta vijoi në mënyrë paqësore, nën një prani të dukshme policore. Presidenti i konfederatës së punëdhënësve CEOE, Antonio Garamendi, tha se respekton protestat, por paralajmëroi se do të ndërmarrë masa nëse shpallet një grevë e përgjithshme, pasi e konsideron atë “të paligjshme”.
Sindikata e Qiramarrësve, e cila po koordinon protestat, tha në një deklaratë: “Ekziston një shkëputje e pariparueshme mes asaj që duan qytetarët dhe asaj që votojnë partitë”.
Sindikata kërkon uljen me 50% të qirave, kontrata me afat të pacaktuar dhe shpronësimin e banesave në pronësi të fondeve spekulative, të njohura si “vulture funds”. Zëdhënësja e saj, Valeria Racu, tha se ende nuk ka një datë për grevën e përgjithshme, e cila po negociohet me organizata të tjera dhe që synohet të jetë “historike”.
Tensione në Valencia, protesta edhe në qytete të tjera
Në Valencia, protestuesit marshuan drejt Palau de les Arts Reina Sofía, ku po zhvillohej konferenca e investimeve në pasuri të paluajtshme Valencia Real Estate Summit 2026, ku mes folësve ishte edhe ish-lideri i Ciudadanos, Albert Rivera.
Disa protestues hoqën barrierat dhe çanë kordonin policor, ndërsa hodhën edhe sende ndaj efektivëve. Policia u përgjigj me plumba gome dhe gaz lotsjellës. Disa persona arritën të ngjiteshin në pjesën e sipërme të godinës. Marshimi ishte thirrur nga katër organizata, mes tyre Sindikata e Qiramarrësve dhe Sindikata e Strehimit.
Demonstrata pati edhe në shumë qytete të tjera. Në Donostia, protesta hyri në ditën e dytë radhazi, e thirrur nga sindikata LAB me mbështetjen e Sindikatës së Qiramarrësve. Në Cádiz, ku sipas organizatorëve qiraja mesatare është rreth 900 euro dhe blerja e një banese arrin në 200 mijë euro, marshimi përfundoi pranë bashkisë me leximin e një manifesti.
Marshime pati edhe në Las Palmas de Gran Canaria, ndërsa tubime të tjera u zhvilluan në Lanzarote, Fuerteventura dhe Tenerife. Në Barcelonë, Luana Rocha, pjesëtare e kampit protestues, tha për TVE se synimi është që qëndrimi të vazhdojë pa afat: “Po shkojmë drejt një greve të përgjithshme”.
Teruel pritet t’i bashkohet protestave të dielën, me një demonstratë në orën 18:30, që do të nisë nga Plaza del Torico.
Sánchez nis një periudhë reflektimi, partitë fajësojnë njëra-tjetrën
Të premten, Kongresi rrëzoi dy dekretet e qeverisë për strehimin, me votat kundër të PP-së, Vox-it dhe UPN-së, ndërsa Junts refuzoi t’i mbështeste.
Dekreti i parë u rrëzua me 172 vota pro dhe 178 kundër, ndërsa i dyti me 166 vota pro dhe 184 kundër.
Sánchez e përfundoi fjalimin e tij me një paralajmërim: “Historia do t’ju gjykojë më shpejt nga sa mendoni dhe më ashpër nga sa imagjinoni”.
Ai ka hapur tashmë një periudhë reflektimi për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, një vendim që i takon vetëm atij. Opozita ka përsëritur thirrjet për zgjedhje, ndërsa sipas raportimit fillestar, edhe disa drejtues dhe ministra të PSOE-së tashmë mendojnë se kjo mund të jetë rruga përpara.
Junts i kërkoi PSOE-së të ulet në tryezën e negociatave. Zëdhënësja e saj, Míriam Nogueras, i cilësoi dekretet si “një ligj të hartuar keq”, ndërsa sekretari i përgjithshëm Jordi Turull argumentoi se ato do të kishin “dekurajuar” shitjen e pronave.
PSOE u përgjigj se tekstet tashmë përfshijnë propozimet e Junts: “Çfarë duan më shumë?”
Zëvendëskryeministrja Yolanda Díaz deklaroi se dëbimet nga banesat “kanë tre emra”: Feijóo, Abascal dhe Nogueras. Nga ana tjetër, Alberto Núñez Feijóo premtoi se do të kërkojë një formulë ligjore që të mos ketë më mandate qeverisëse pa buxhet.
Ndërkohë, kampi në Puerta del Sol hyri në natën e tij të shtatë, me rreth 2 mijë persona, ndërsa shkaku fillestar i protestës mbetet ende në qendër të vëmendjes.
Protestat nisën pas dëbimit nga banesa të Maricarmen Abascal, një gruaje 87-vjeçare, e cila u nxor me barelë dhe aktualisht po rikuperohet në spital.
Aktivistët për të drejtën e strehimit thonë se një kompani investimesh bleu pronën ku ajo kishte jetuar për rreth shtatë dekada dhe kërkoi t’i rriste qiranë me 275%.
Pas reagimeve të forta publike, pronarët e rinj ranë dakord ta lejonin të rikthehej në banesë me një qira të ulët./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
