Ministria e Shëndetësisë ka propozuar një projektligj për standardet e cilësisë dhe sigurisë për substancat me origjinë njerëzore dhe të destinuara për aplikim njerëzor (SoHO).
Sipas draftit në konsultim publik, ligji synon të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut, veçanërisht për dhuruesit SoHO, marrësit SoHO dhe pasardhësit nga riprodhimi mjekësor i asistuar, duke përfshirë forcimin e vazhdimësisë së furnizimit me SoHO kritike.
Një vend të veçantë zë promovimi i solidaritetit, dhurimi vullnetar dhe pa pagesë dhe vetëmjaftueshmëria, duke rritur në këtë formë besimin publik.
Sipa ligjit, substancat e përfshira janë të gjitha substancat me origjinë njerëzore që aplikohen tek njerëzit kur këto ndërveprojnë biologjikisht me trupin e marrësit SoHO si gjaku dhe përbërësit e gjakut; Indet dhe qelizat, përfshirë qelizat hematopoetike periferike nga gjaku umbilikal ose nga palca kockore, qelizat dhe indet riprodhuese, embrionet, indet dhe qelizat fetale, qelizat burimore fetale dhe adulte; Qumështi i gjirit, mikrobiota intestinale, të tjerë përbërës gjaku që nuk përdoren për transfuzion dhe çdo SoHO që mund të aplikohet te njerëzit në të ardhmen.
Në ligj përfshihen edhe SoHO riprodhuese, si dhe embrionet për qëllime të riprodhimit të asistuar, ndërkohë që ligji nuk zbatohet për transplantin e organeve; qumështin e gjirit, kur përdoret ekskluzivisht për ushqyerjen e fëmijës së vet, pa ndonjë përpunim të kryer nga një strukturë SoHO;
Ligji bën dallim mes përdorimit allogjenik, autolog dhe brenda çiftit, si dhe dhurimit nga palë të treta për riprodhim të asistuar. Dispozita përcakton dhurimin e SoHO-s si një akt vullnetar dhe altruist, që përfshin të gjitha procedurat mjekësore dhe ligjore për dhurim, si nga dhurues të gjallë, ashtu edhe të vdekur.
Marrësi SoHO është personi që merr ose për të cilin parashikohet aplikimi i SoHO. Pëlqimi duhet të jepet me vullnet të lirë, pa detyrim, nga vetë personi ose përfaqësues të autorizuar.
Ligji përfshihen përkufizime të proceseve teknike si mbledhja, përpunimi, ruajtja, kontrolli i cilësisë, lejimi, shpërndarja, importi, eksporti dhe furnizimi nga vende të treta.
Gjithashtu, ligji përcakton rregulla për rekrutimin dhe regjistrimin e dhuruesve SoHO, si dhe për menaxhimin e rezultateve klinike të lidhura me përdorimin e këtyre substancave.
Sipas dispozitave ligjore, pranë Ministrisë kompetente krijohet dhe administrohet Regjistri Kombëtar i Strukturave SoHO, i cili përmban të gjitha të dhënat mbi subjektet që merren me mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe përdorimin e substancave me origjinë njerëzore. Ministria, në rolin e Autoritetit Kombëtar SoHO do të përdorë Platformën SoHO të Bashkimit Evropian.
Në thelb, ligji krijon bazën ligjore për garantimin e cilësisë, sigurisë dhe transparencës në të gjitha fazat që përfshijnë substancat me origjinë njerëzore nga dhurimi deri te aplikimi mjekësor.
Ligji parashikon kundërvajtjet administrative dhe dënimet me gjobë. Kështu, mosregjistrimi i strukturës SoHO, dënohet me gjobë në masën 500 mijë lekë; mospajisja me autorizim për çdo preparat SoHO të prodhuar dënohet me gjobë 300 mijë lekë;
Kryerja e studimeve klinike në kundërshtim me dispozitat ligjore dënohet me 200 mijë lekë; Mosrespektimi i kërkesave për gjurmimin kodimin dhe vigjilencë denohet me gjobë 300 mijë lekë.
Mospajisja me autorizim si qendër SoHO dënohet me 500 mijë lekë; Mospajisja me autorizim si qendër SoHO importuese dënohet me 300 mijë lekë.
Mosrespektimi i standaretve SoHO për mbrojtjen dhe informimin e dhuruesve dënohet me gjobë 200 000 mijë lekë.
Mosrespektimi i standarteve SoHO për mbrojtjen e dhuruesve dënohet me gjobë 200 mijë lekë.
Drafti, pasi t’i nënshtrohet të gjitha procedurave, parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i fillon efektet në datën 31 gusht 2027. /ekofin.al
