Operatorët që shkaktojnë dëme në ujëra, pyje, habitate apo tokë do të duhet të marrin masa konkrete për rikthimin e mjedisit, nga pastrimi i lumenjve dhe heqja e tokës së ndotur, deri te ripyllëzimi, restaurimi i habitateve dhe ndalimi i aktivitetit që shkakton ndotjen. Masat janë përcaktuar në një urdhër të ri të Ministrisë së Mjedisit, që përafron pjesërisht legjislacionin shqiptar me Direktivën evropiane për përgjegjësinë mjedisore.
Urdhri parashikon tri nivele rehabilitimi. Fillimisht operatori duhet të përpiqet ta rikthejë zonën e dëmtuar në gjendjen e mëparshme ose sa më afër saj. Nëse kjo nuk arrihet plotësisht, duhet të ndërmerren masa plotësuese, ndërsa për humbjet që krijohen gjatë periudhës deri në rikuperimin e plotë parashikohen masa kompensuese. Ky kompensim nuk është pagesë financiare për publikun, por realizohet përmes burimeve ose shërbimeve të tjera mjedisore.
Për dëmet ndaj biodiversitetit, masat konkrete përfshijnë ripyllëzimin me specie vendase, restaurimin e ligatinave, dunave dhe livadheve, ripopullimin e faunës dhe heqjen e specieve invazive. Për ujërat parashikohet pastrimi nga ndotësit dhe mbetjet, rikthimi i shtratit natyror të lumenjve dhe rehabilitimi i habitateve ujore. Në rastin e tokës, operatorëve mund t’u kërkohet heqja dhe trajtimi i tokës së ndotur, dekontaminimi dhe stabilizimi fizik ose kimik i ndotjes.
Kur dëmi krijon një kërcënim të menjëhershëm, masat bëhen edhe më të drejtpërdrejta. Rregullat parashikojnë ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit, izolimin e burimit të ndotjes, ndalimin e shkarkimeve apo rrjedhjeve, vendosjen e barrierave mbrojtëse dhe grumbullimin, neutralizimin ose largimin e substancave të rrezikshme. Mund të kufizohet gjithashtu aksesi i publikut në zonë dhe të vendoset monitorim intensiv emergjent.
Në rast se rikthimi i plotë në zonën e dëmtuar nuk është i mundur, rehabilitimi mund të kryhet edhe në një zonë tjetër. Për shembull, mund të krijohen habitate të reja, korridore ekologjike apo ligatina kompensuese, të restaurohet një trup tjetër ujor ose të rehabilitohen toka të degraduara me funksion të barasvlershëm. Kur është e mundur, zona alternative duhet të jetë gjeografikisht e lidhur me vendin e dëmtuar dhe duhet të merren parasysh interesat e popullsisë së prekur.
Dokumenti hap edhe mundësinë e vlerësimit monetar të dëmit. Kur nuk mund të përcaktohet rehabilitimi sipas parimit “burim me burim” ose “shërbim me shërbim”, autoriteti kompetent mund të përdorë vlerësimin monetar për të përcaktuar shkallën e masave që duhet të ndërmerren. Në raste të caktuara mund të zgjidhen masa riparuese me një kosto të barasvlershme me vlerën monetare të burimeve apo shërbimeve mjedisore të humbura.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të ketë rol qendror në zbatimin e skemës dhe, pas vlerësimit të dëmit, mund të kërkojë edhe masa të tjera specifike. Megjithatë, AKM mund të vendosë të mos kërkojë rehabilitim të mëtejshëm kur nuk ka më rrezik të rëndësishëm për shëndetin, ujërat, speciet apo habitatet dhe kur kostoja e rikthimit në gjendjen e mëparshme do të ishte joproporcionale me përfitimin mjedisor.
Megjithëse urdhri hyn në fuqi menjëherë, vetë masat nuk do të nisin të zbatohen menjëherë, por pasi të plotësohen aktet e tjera nënligjore./ekofin.al
