Qeveria ka rritur me 5,000 lekë në muaj rimbursimin për karburantet dhe lubrifikantët që përfitojnë invalidët me mjete motorike. Pagesa kalon nga 10,000 në 15,000 lekë, ose 50% më shumë, ndërsa kostoja vjetore për buxhetin e shtetit llogaritet në 27 milionë lekë.
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën ndryshimin e vendimit për zbatimin e ligjit “Për statusin e invalidit”, duke e përcaktuar në 15,000 lekë shumën mujore të rimbursimit të shpenzimeve për blerjen e karburanteve dhe lubrifikantëve.
Masa e mëparshme e përfitimit ishte 10,000 lekë në muaj. Me ndryshimin e ri, përfituesit do të marrin 5,000 lekë më shumë çdo muaj, ose 60,000 lekë shtesë në vit. Në përqindje, rritja është 50%. Masa prej 10,000 lekësh ishte konfirmuar për herë të fundit me një ndryshim të miratuar nga qeveria në dhjetor 2022.
Rimbursimi u takon personave me statusin e invalidit që kanë mjete motorike për invalidë. E drejta për përfitim përcaktohet nga komisionet mjekësore të caktimit të aftësisë për punë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe strukturave të tij rajonale, sipas kritereve të vendosura nga instituti.
Qeveria ka përllogaritur se zbatimi i masës së re do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 27 milionë lekë në vit. Fondet do të programohen çdo vit në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ndërsa për zbatimin janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ISSH-ja.
Vendimi hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

