Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien e garancive shtetërore në favor të Raiffeisen Bank, për kontratat e kredisë të lidhura me shoqëritë e grupit OSHEE Group, në kuadër të projektit “Qëndrueshmëria e OSHEE-së”. Vendimi synon rifinancimin e kredive ekzistuese, me qëllim forcimin e stabilitetit financiar të operatorëve të sektorit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, garancia shtetërore mbulon dy kontrata kredie. Garancia e parë i jepet Raiffeisen Bank për një kredi me kufi në shumën 15 milionë euro, e lidhur ndërmjet bankës dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), OSHEE Group dhe Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL). Kjo kredi shërben për rifinancimin e detyrimeve ekzistuese dhe përmirësimin e likuiditetit të këtyre shoqërive.
Paralelisht, është miratuar edhe një garanci e dytë shtetërore për një kredi tjetër me kufi në vlerën 750 mijë euro, gjithashtu në favor të Raiffeisen Bank, e lidhur me OSSH, OSHEE Group, FTL dhe FSHU. Edhe kjo marrëveshje ka në fokus rifinancimin dhe mbështetjen financiare të aktivitetit operativ të operatorëve të energjisë.
Vendimi ngarkon Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me shoqëritë përfituese, për zbatimin e tij. Në praktikë, garancitë shtetërore ulin riskun për institucionin financiar dhe krijojnë kushte më të favorshme financimi për OSHEE Group dhe shoqëritë e varura, duke ndikuar pozitivisht në qëndrueshmërinë financiare të sektorit.
Ky vendim vjen në një kontekst ku sektori energjetik mbetet një nga hallkat më të ndjeshme të ekonomisë shqiptare, për shkak të ekspozimit ndaj luhatjeve të çmimeve, kushteve hidrike dhe nevojës për investime të vazhdueshme. Mbështetja përmes garancive shtetërore shihet si një instrument për të garantuar vijueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, stabilitetin e operatorëve publikë dhe shmangien e presioneve të menjëhershme mbi buxhetin e shtetit. /ekofin.al
Vendimi i plotë:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E GARANCIVE SHTETËRORE, NË FAVOR TË RAIFFEISEN BANK, SH.A., PËR KONTRATAT E KREDISË, NDËRMJET RAIFFEISEN BANK, SH.A., DHE FURNIZUESIT TË SHËRBIMIT UNIVERSAL (FSHU), SH.A., OPERATORIT TË SISTEMIT TË SHPËRNDARJES (OSSH), SH.A., OPERATORIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (OSHEE) GROUP, SH.A., FURNIZUESIT TË TREGUT TË LIRË (FTL), SH.A., PËR PROJEKTIN “QËNDRUESHMËRIA E OSHEE-SË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e garancisë shtetërore, në favor të Raiffeisen Bank, sh.a., për kontratën e kredisë, ndërmjet Raiffeisen Bank, sh.a., dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), sh.a., Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Group, sh.a., Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL), sh.a., dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh.a., për rifinancimin e kredisë me kufi, në shumën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro.
2. Miratimin e garancisë shtetërore, në favor të Raiffeisen Bank, sh.a., për kontratën e kredisë, ndërmjet Raiffeisen Bank, sh.a., dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh.a., Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Group, sh.a., Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL), sh.a., dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), sh.a., për rifinancimin e kredisë me kufi, në shumën 750 000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) euro.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), sh.a., Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh.a., Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Group, sh.a., dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
