Importuesit profesionistë të automjeteve do të përfshihen në mbulimin e kostove të trajtimit të makinave të dala jashtë përdorimit, ndërsa bizneset që merren me grumbullimin dhe çmontimin e tyre do të kenë 18 muaj kohë për t’u përshtatur me kërkesat teknike të një projektvendimi të ri të qeverisë.
Projektvendimi përcakton se prodhuesit e automjeteve, kategori ku përfshihen edhe importuesit profesionistë, duhet të përballojnë tërësisht ose në një pjesë të konsiderueshme kostot e marrjes në dorëzim pa pagesë të automjeteve në fund të jetës.
Kjo përgjegjësi lidhet me sistemin e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, sipas të cilit subjektet që hedhin produkte në treg përfshihen edhe në financimin e menaxhimit të mbetjeve që krijohen prej tyre.
Megjithatë, projektvendimi nuk përcakton një tarifë për çdo automjet të importuar apo shumën që duhet të paguajnë bizneset. Rregullat e hollësishme të financimit u referohen ligjit nr. 74/2025, për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese, dhe akteve nënligjore përkatëse.
18 muaj për përshtatjen e bizneseve të çmontimit
Drafti parashikon gjithashtu një tjetër ndryshim lidhet me operatorët që grumbullojnë, çmontojnë dhe trajtojnë automjetet e dala jashtë përdorimit.
Subjektet që ushtrojnë aktualisht këto veprimtari do të kenë 18 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit për t’i përshtatur ambientet dhe proceset e tyre me standardet teknike të përcaktuara në projektvendim.
Kërkesat përfshijnë sipërfaqe të papërshkueshme nga lëngjet, sisteme për grumbullimin e derdhjeve, pajisje për trajtimin e ujërave, si dhe ambiente të posaçme për magazinimin e baterive, gomave, vajrave dhe lëngjeve të tjera të rrezikshme.
Operatorët duhet të garantojnë gjithashtu heqjen e substancave të rrezikshme dhe ruajtjen e pjesëve që mund të ripërdoren ose riciklohen. Trajtimi i automjeteve duhet të kryhet vetëm nga operatorë të pajisur me lejet mjedisore dhe licencat përkatëse.
Për bizneset ekzistuese, përmbushja e këtyre kërkesave mund të shoqërohet me nevojën për investime në ambiente, pajisje dhe organizimin e procesit të punës. Relacioni nuk paraqet një vlerësim të kostos financiare që do të kenë operatorët për përshtatjen.
Projektvendimi përcakton edhe raportimin e të dhënave çdo gjashtë muaj në Sistemin e Integruar Mjedisor të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Operatorët e autorizuar do të raportojnë numrin dhe peshën e automjeteve të pranuara, të çmontuara dhe të trajtuara, sasitë e mbetjeve të rrezikshme dhe materialet e ripërdorura ose të ricikluara. Raportimi vjetor do të kryhet edhe pranë bashkisë ku ushtrojnë veprimtarinë.
Rregullat synojnë forcimin e kontrollit mbi trajtimin e automjeteve dhe pjesëve të tyre, në një sektor ku, sipas relacionit, një pjesë e mjeteve çmontohet në mënyrë të parregullt ose trajtohet nga subjekte që nuk plotësojnë standardet teknike dhe mjedisore. /ekofin.al
