Bizneset që përdorin reklama çorientuese, praktika të padrejta tregtare apo pretendime të pambështetura për karakteristikat mjedisore të produkteve do të përballen me gjoba që, për kategoritë përkatëse të shkeljeve, arrijnë deri në 600 mijë lekë. Projektligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorit” parashikon gjithashtu dyfishimin e gjobave në rast përsëritjeje të së njëjtës kundërvajtje brenda pesë viteve.
Ndryshimet synojnë të forcojnë kontrollin mbi mënyrën se si bizneset reklamojnë produktet dhe shërbimet e tyre, duke përfshirë edhe pretendimet se një produkt është ekologjik, i qëndrueshëm apo me ndikim të reduktuar në mjedis.
Sipas nenit 235, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit mund të vendosë gjoba nga 300 mijë deri në 600 mijë lekë për shkeljet që lidhen me praktikat e padrejta tregtare, reklamat çorientuese dhe krahasuese, kushtet e padrejta kontraktore dhe një pjesë të shkeljeve të të drejtave të konsumatorëve.
Projektligji parashikon edhe gjoba nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë për kategori të tjera kundërvajtjesh, përfshirë shkelje të caktuara në shitjen e mallrave, furnizimin me produkte digjitale dhe riparimin e produkteve.
Pretendimet “eko” duhet të mbështeten me prova
Dispozitat ligjore parashikojnë kufizimin e praktikave të njohura si greenwashing, kur bizneset përdorin deklarata mjedisore që mund t’i krijojnë konsumatorit një perceptim të gabuar për ndikimin e produkteve në mjedis.
Projektligji ndalon përdorimin e deklaratave të përgjithshme mjedisore kur tregtari nuk është në gjendje të demonstrojë performancën mjedisore të pretenduar. Për shembull, përdorimi i pretendimeve të përgjithshme për karakteristikat ekologjike të një produkti nuk mund të mbështetet vetëm te formulime promocionale, pa provuar bazën e tyre sipas kërkesave të ligjit.
Neni 33 ndalon gjithashtu paraqitjen e një produkti ose të një biznesi në tërësi si të qëndrueshëm nga pikëpamja mjedisore, kur pretendimi mbështetet vetëm në një karakteristikë të veçantë të produktit ose në një aktivitet specifik të biznesit.
Një tjetër praktikë e ndaluar është përdorimi i etiketave të qëndrueshmërisë që nuk bazohen në një skemë certifikimi ose nuk janë krijuar nga autoritetet publike.
Ndalimi i kësaj praktike do të ndikojë bizneset që përdorin etiketa dhe deklarata mjedisore si element të marketingut, veçanërisht në tregtimin e produkteve ushqimore, kozmetike, tekstile dhe mallrave të tjera të konsumit.
Ndalohen pretendimet për neutralitet klimatik të mbështetura te kompensimi i emetimeve
Projektligji parashikon edhe një kufizim specifik për pretendimet që lidhen me emetimet e gazeve me efekt serrë.
Sipas nenit 33, konsiderohet praktikë e padrejtë pretendimi se një produkt ka ndikim neutral, të reduktuar ose pozitiv në mjedis, për sa u përket emetimeve të gazeve me efekt serrë, kur ky pretendim mbështetet në kompensimin e emetimeve.
Kjo dispozitë synon të shmangë situatat kur një produkt reklamohet si klimatikisht neutral jo për shkak të reduktimit të emetimeve që lidhen me të, por mbi bazën e mekanizmave të kompensimit.
Ndërkohë, deklaratat për performancën e ardhshme mjedisore duhet të mbështeten në angazhime objektive dhe të verifikueshme, të përfshira në plane të detajuara me objektiva të matshëm, afate të qarta dhe verifikim nga një ekspert i pavarur.
Gjobat dyfishohen në rast përsëritjeje
Projektligji parashikon masa më të rënda për bizneset që përsërisin të njëjtën shkelje.
Sipas nenit 235, gjobat dyfishohen kur e njëjta kundërvajtje kryhet për herë të dytë brenda një periudhe pesëvjeçare.
Në këtë mënyrë, për një kategori shkeljesh ku gjoba fillestare varion nga 300 mijë deri në 600 mijë lekë, masa në rast përsëritjeje mund të arrijë deri në 1.2 milionë lekë.
Agjencia do të ketë gjithashtu kompetencën për të vlerësuar dëmin e shkaktuar nga kundërvajtja dhe për të vendosur me një vendim të veçantë kompensimin e tij, sipas procedurave të përcaktuara në projektligj.
Në përcaktimin e masës së gjobës do të merren parasysh natyra, rëndësia dhe kohëzgjatja e shkeljes, përfitimet financiare të realizuara nga tregtari dhe masat e ndërmarra për të riparuar dëmin.
Një dispozitë tjetër parashikon që gjobat duhet të shlyhen brenda 30 ditëve nga data e njoftimit. Në rast mospagese, ato përbëjnë titull ekzekutiv dhe mund të ekzekutohen përmes përmbarimit.
Sanksione të lidhura me xhiron për shkeljet ndërkufitare
Projektligji përfshin edhe një regjim të veçantë sanksionesh për shkeljet që cenojnë interesat kolektive të konsumatorëve në kuadrin e Bashkimit Evropian.
Në rastet e përcaktuara nga neni 237, parashikohen gjoba, maksimumi i të cilave është të paktën 4% e xhiros vjetore të tregtarit në shtetin ose shtetet anëtare përkatëse të BE-së.
Kur informacioni mbi xhiron nuk është i disponueshëm, projektligji përcakton një maksimum gjobe prej të paktën 2 milionë eurosh ose ekuivalentin në lekë.
Megjithatë, këto dispozita nuk përbëjnë një penalitet të përgjithshëm për të gjitha bizneset shqiptare. Sipas nenit 245, dispozitat e nenit 237 do të hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian./ekofin.al
