Pas vendosjes së referencave për shfrytëzimin e strukturave akomoduese, tashmë do të ketë paga referencë edhe për punonjësit në sektorin e turizmit. Duke e vlerësuar si një sektor me risk të lartë për shmangie tatimore, administrata tatimore ka publikuar një plan operacional me masa të posaçme për sezonin turistik 2025.
Ky plan përfshin struktura akomoduese, bare, restorante, agroturizëm, shërbime plazhi, dhënie me qira të makinave, ambienteve dhe aktivitete të tjera të lidhura me turizmin.
Qëllimi i këtij plani është informimi, ndërgjegjësimi dhe këshillimi i tatimpaguesve për deklarim korrekt dhe në kohë të detyrimeve tatimore, si dhe për garantimin e formalizimit të aktiviteteve ekonomike në këtë sektor, bëjnë me dije tatimet.
Administrata Tatimore thekson se do të mbështetet në të dhëna nga vetëdeklarimet, faturat e fiskalizuara, furnizimet, institucionet shtetërore dhe platformat ndërkombëtare si Booking, Airbnb, Google etj., për të garantuar përputhjen e deklarimeve me aktivitetet reale ekonomike të subjekteve.
Përmes planit, tatimet synojnë rritjen e qarkullimit të deklaruar gjatë sezonit turistik 2025, krahasuar me vitin 2024, rritjen e numrit të punonjësve të deklaruar, si edhe të pagave të tyre dhe një sërë objektivash të tjera.
Madje tatimet janë edhe më konkretë kur synojnë rritjen me 20% të numrit të tatimpaguesve me përgjegjësi TVSH, me normën e reduktuar 6%, shoqëruar me rritjen e të ardhurave nga TVSH në turizëm dhe rritje me 10% e tatimpaguesve deklarues në bar-restorante dhe akomodim.
Tatimet njoftojnë se fillimisht kanë nisur komunikimet me bizneset që operojnë në sektorin e turizmit dhe për ato që do të vlerësohen me risk të lartë nga analizat, do të ketë edhe inspektime e në raste shkeljesh edhe gjoba. /ekofin.al
