Këshilltarët tatimorë, avokatët, kontabilistët dhe profesionistë të tjerë që projektojnë, organizojnë ose asistojnë në zbatimin e marrëveshjeve ndërkufitare do të kenë detyrimin ligjor t’i raportojnë ato pranë autoriteteve tatimore. Ky është ndryshimi kryesor që sjell projektligji DAC6, i hartuar nga Administrata Tatimore në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Projektligji vendos për herë të parë në Shqipëri një sistem raportimi të detyrueshëm për marrëveshjet ndërkufitare që mund të paraqesin elemente të planifikimit tatimor ose të ndikojnë në detyrimet fiskale në më shumë se një juridiksion. Informacioni i mbledhur do të shkëmbehet automatikisht mes administratës tatimore shqiptare dhe administratave tatimore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Sipas draftit, përgjegjësia për raportim do të bjerë kryesisht mbi ndërmjetësit, pra profesionistët që ofrojnë këshillim ose asistencë për strukturimin e këtyre marrëveshjeve. Megjithatë, në raste të caktuara, kur ndërmjetësi nuk mund të raportojë ose përjashtohet nga ky detyrim, raportimi do të kryhet nga vetë tatimpaguesi.
Qëllimi i kësaj nisme është rritja e transparencës fiskale dhe identifikimi në kohë i praktikave që mund të përdoren për shmangien ose reduktimin artificial të detyrimeve tatimore. Përmes shkëmbimit të informacionit me vendet e BE-së, autoritetet synojnë të forcojnë monitorimin e transaksioneve dhe strukturave me element ndërkombëtar.
Administrata Tatimore vlerëson se zbatimi i standardit DAC6 do të përmirësojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e tatimeve, do të rrisë transparencën e sistemit fiskal dhe do të ndihmojë Shqipërinë në procesin e harmonizimit të legjislacionit me acquis-in e Bashkimit Evropian. /ekofin.al

