Raporti i kredive me probleme në sektorin bankar ka shënuar një rritje të lehtë për muajin maj. Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ky tregues është rritur në 4.12, krahasuar me 4.02 që ishtë në muajin paraardhës, duke u rikthyer në të njëjtin nivel që ishte në nisje të këtij viti.
Në përgjithësi, raporti i kredive me probleme kundrejt totalit të kredive ka ardhur në rënie, duke prekur shifrat më të ulëta historike, ndikuar edhe nga performanca e mirë ekonomike.
Ndikuar në uljen e kredive me probleme ka patur edhe rritja e fortë e kreditimit, sidomos në vitet e fundit. Referuar shifrave të BSH, kredia u rrit me 94.6 miliardë lekësh, ose rreth 12.8% më shumë vitin e kaluar. Rritja më e madhe evidentohet në tremujorin e dytë me 32.2 mld lekë ose 4.24%, dhe në tremujorin e katërt me 22.1 mld lekë ose 2.73%.
Analiza e kredisë sipas llojit të subjektit evidenton një përqendrim më të lartë në sektorin privat, rreth 60.3%, ndërkohë që kreditimet për këtë sektor gjatë vitit 2024 janë rritur me 53.2 miliardë lekë (11.84%). Kredia për individë rezulton në rritje me 39.3 miliardë lekë (14.4%), duke kontribuuar në një rritje të peshës së saj me 0.53%.
Një fenomen i sistemit bankar është ekspozimi i tij ndaj kreditimit në pasuri të paluajtshme. Edhe në vitin 2024, kjo tendencë u ruajt, pasi kredia dhënë biznesit për pasuri të paluajtshme u rrit me 20.6%. Rritja e shpejtë e kredimit, sidomos për pasuritë e paluajtshme, e detyroi Bankën e Shqipërisë të ndërhyjë, duke vendosur kufizime me rregullore, të cilat hynë në fuqi nga 1 korriku i këtij viti.
Sipas ekspertëve këto ndryshime pritet të japin impakt në reduktimin e kredive për këtë segment dhe pritet gjithashtu një ngadalësim i ritmeve të kreditimit. Ky vit po rezulton disi më i vështirë për sektorin bankar, pas një viti shumë pozitiv 2024. Kjo reflektohet edhe në shifrat e tjera të shëndetit financiar, të publikuara nga BSH, siç është kthimi nga kapitali (RoE). Edhe pse ky është një tregues që vlerësohet me bazë vjetore, zbritja në 15.35% në maj, sinjalizon se 2025 nuk pritet të jetë një vit edhe aq fitimprurës për bankat tregtare krahasuar me 2024. Kjo edhe për shkak se vendimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë për të ulur në 2.5% normën bazë të interesave ndikon direkt në fitimet e bankave. /ekofin.al


