Kryeministri Edi Rama prezantoi sot, 17 shkurt, drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa.
“Igli është tjetër rekrut i Shqipërisë digjitale i cili ka lënë misione dhe punë të tjera në vende të tjera dhe ka ardhur të shërbejë në një moment shumë kritik. Kapaciteti i tij drejtues, e dikujt që është pjesë e juaja, na bëri së bashku t’i kërkojmë të spostohet brenda të njëjtës godinë. Jam shumë i kënaqur që Igli e mori këtë propozim si një detyrë, jo si një ftesë për të shkuar në një festë sepse nuk është e lehtë në këtë moment. E mori si detyrë për të mos lejuar që e gjithë kjo skuadër të ndjehet e padrejtuar, edhe pse Romina, me mundësitë dhe kapacitetin e saj bëri më të mirën në të gjithë këtë periudhë. Duke qenë pjesë e të njëjtës hapësirë traume ua kuptoj vështirësitë”, tha Rama.
Ai u shpreh se së shpejti në Shqipëri do të vijë një ekip i një prej kompanive më me vlerë dhe më me ndikim në të gjithë botën. Sipas kreut të qeverisë ata do të çojnë Diellën në një nivel tjetër.
“Së shpejti do të vijë këtu ekipi i Nvidias për ta zhvilluar punën për ta çuar Diellën krejt në një nivel tjetër”, tha Rama.
