Kryeministri Edi Rama informoi sot se po përgatiten investime shumë të mëdha që synojnë turizëm të një profili dhe cilësie tjetër.
Kryeministri Rama mori pjesë në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, platforma e biznesit që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 1000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara.
Duke u ndalur fillimisht te turizmi, Rama theksoi se “fushat që prezanton ky panair reflektojnë thelbin e ndryshimit që modeli ynë ekonomik ka sjellë”.
“Kemi turizmin dhe projektet moderne urbane. Nga një vend i turizmit të aventurës për vetëm një apo dy muaj në vit dhe me numër të kufizuar njerëzish, Shqipëria është tashmë një vend ku po ndodhin ndryshime të mëdha”, tha Rama.
Kjo, sipas kryeministrit, jo vetëm në kuptimin e shifrave por në kuptimin e një portofoli shumë të larmishëm mundësish, që shkon nga turisti individual që i pëlqen të humbasë në majat e maleve te grupet e mëdha të turistëve që duan të vijnë të eksplorojnë vendin.
Rama tha se po shohim se jo vetëm ambicia jonë po edhe e atyre që kthejnë sytë nga Shqipëria si tokë mundësish po rritet dita-ditës.
“Po përgatitemi të prezantojmë investime shumë të mëdha që janë në gamën e miliardave dhe synojnë të promovojnë jo vetëm destinacionet turistike të Shqipërisë, por një turizëm të një profili e cilësie tjetër, të një niveli tjetër qëndrueshmërie”, shtoi Rama.

