Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një vend me prani të kufizuar në hartën turistike europiane në një destinacion që pret mbi 12 milionë turistë.
Gjatë edicionit të parë të “Future Hospitality Forum 2026”, Rama tha se rritja e kërkesës për Shqipërinë po shoqërohet me nevojën për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës.
“Për këtë interes kaq të lartë, është shumë bukur që ta shikosh nga këtu. Ju jeni këtu për të eksploruar më shumë mundësi, dhe për të eksploruar partneritete potenciale. Por dua të them pak fjalë, nga fakti se ajo që po dëshmojmë sot nuk mund të imagjinohet as 500 vjet më parë. Ishte një moment shumë i vështirë, që të përballeshim se sa prapa ishim duke u krahasuar me botën atje jashtë, me fqinjët tanë dhe forcat e kësaj industrie në kontinentin tonë. Nuk kishte hotel me pesë yje. Vendi ynë ishte një vrimë e zezë në hartën e Europës, për turizmin.”
Ai theksoi se synimi është të tërhiqen turistë me të ardhura më të larta dhe marka ndërkombëtare. Sipas Ramës, vendi tashmë ka kaluar fazën më të vështirë të promovimit si destinacion turistik.
“Më parë numëronim edhe veten tonë, sa herë hynim dhe dilnim nga Shqipëria, llogariteshin si turistë. Jemi mbi 12 milionë turistë dhe jemi vërtet në një moment, që në vend të të qenit të lumtur për rritjen e kërkesës, jemi të shqetësuar për nevojën urgjente të rritjes së cilësisë. Numrat e mëdhenj të të ardhurave të mesme dhe të ulëta sjellin stres të madh në infrastrukturën tonë, në shërbimet tona dhe qytetarët tanë.
Ne shpresojmë që të kemi më shumë interes dhe të marrim më shumë vëmendje të të ardhurave më të mëdha të turistëve dhe brendeve. Ajo që kam mësuar në këtë udhëtim timin është se ajo që thua është e rëndësishme deri në një pikë, por më e rëndësishme është ajo se çfarë bën. Synimi ynë është që arrijmë te turizmi elitar. Këta turistë janë bërë ambasadorët tanë dhe miqtë tanë më të mirë. Këta turistë kanë dëshmuar se mikpritja është organike.
Ku ushqimi është shumë më i mirë se në shumë vende. Do të vazhdojmë që të qëndrojmë për vendin dhe të ardhmen. Jemi këtu për të tërhequr dhe për të ndërtuar të ardhmen në një mënyrë apo në një tjetër. Shqipëria e ka kaluar atë që ishte vija më e vështirë, tani nuk është më e pamundur, tani është më e lehtë që t’u thuash njerëzve që ‘ejani në Shqipëri’.”
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se Shqipëria ndodhet sot në fazë të rëndësishme zhvillimi sa i takon sektorit të turizmit.
Në fjalën e tij, në Forumin “Future Hospitality”, forumi i turizmit organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, ministri vuri në dukje se interesi në rritje ndërkombëtar, zgjerimi i investimeve dhe diversifikimi i ofertës turistike po ndryshojnë jo vetëm përmasat e sektorit, por edhe pritshmëritë ndaj tij.
Ai tha se objektivi i qeverisë shkon përtej thjesht rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, por edhe te mënyra se si kjo rritje përkthehet në standarde më të larta dhe shërbim më profesional dhe gjenerimin e më shumë vendeve të punë me kualifikim të lartë.
“Suksesi i një destinacioni matet jo vetëm nga numri i njerëzve që e vizitojnë atë, por edhe nga përvoja që ata marrin me vete, nga kohëzgjatja e qëndrimit, nga besimi i tyre për t’u rikthyer dhe, mbi të gjitha, nga vlera që ata krijojnë për ekonominë vendase”, tha gjatë fjalës së tij kreu i MTKS.
Ministri kujtoi se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore, Shqipëria ka kaluar nga një ofertë e kufizuar mikpritjeje në një treg të diversifikuar, ku sot operojnë marka të njohura ndërkombëtarisht si: Marriott përmes “Tirana Marriott Hotel”, Hilton përmes “Hilton Garden Inn Tirana”, si dhe “Radisson Hotel Group”, “Meliá Hotels”, “Maritim” e të tjera.
Ministri Gonxhja bëri publike shifra sa i takon korrikut të këtij viti, kur numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 15,2 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa numri i vizitorëve jorezidentë u rrit me 18,3 për qind.
“Një destinacion nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme nëse kërkesa rritet më shpejt se cilësia. Prandaj, një nga sfidat kryesore për vitet në vijim është të sigurojmë që investimet në infrastrukturën e mikpritjes të shoqërohen me investime po aq të rëndësishme në kapitalin njerëzor”, tha ministri.
Duke theksuar rëndësinë që ka jo vetëm rekomandimi, por sidomos rikthimi i vizitorëve në Shqipëri, ministri Gonxhja u tha investitorëve dhe përfaqësuesve të markave ndërkombëtare pjesëmarrës në këtë forum se ky është momenti i duhur për të investuar në Shqipëri.

