Nëse jeni të gatshëm të lini vendlindjen tuaj për Siçilinë, kjo mund t’ju japë mundësinë të hyni në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kjo sepse Naro, një qytet mesjetar në jugperëndim të ishullit të Siçilisë, po u ofron blerësve të mundshëm mundësinë të blejnë një pronë për çmimin e një ekspresi.
Duke iu bashkuar listës gjithnjë e më të gjatë të destinacioneve italiane që ofrojnë shtëpi me çmime shumë të ulëta, Naro, i cili ndodhet në provincën e Agrixhentos, synon t’i japë jetë të re qytetit historik, duke u ofruar blerësve mundësinë të rikonstruktojnë ndërtesa të braktisura, të luftojnë shpopullimin dhe të forcojnë turizmin vendas.
Kjo nismë është miratuar nga Bashkia e Naros dhe është e hapur si për shtetasit italianë, ashtu edhe për shtetasit e huaj, me kusht që ata të plotësojnë kërkesat vendore për blerjen dhe mirëmbajtjen e një prone.
Aplikimet mund të dorëzohen përmes platformës online “Shtëpi për 1 Euro – Naro”, e cila është e disponueshme në disa gjuhë dhe i udhëzon të interesuarit përmes procesit të mundshëm të blerjes së një prone.
Sipas platformës, blerësit duhet të marrin në konsideratë investimin sepse Naro ofron “një qendër historike me identitet të fortë, arkitekturë baroke, Kështjellën Chiaramontano, peizazhe të brendshme të Agrixhentos, si dhe lidhje me Agrixhenton dhe bregdetin jugor”.
Dhe tani pyetjet prej 1 €: A ka ndonjë kleçkë?
Po, në fakt ka disa.
Zakonisht, merrni atë për të cilën paguani dhe, për çmimin e një filxhani kafeje, nuk është çudi që nuk do të gjeni një vilë luksoze në katalog.
Kur Euronews Travel shqyrtoi pronat e ofruara, të gjitha ishin të shënuara si “në nevojë për rikonstruksion”, ndërsa një shtëpi me tre dhoma gjumi, me pamje nga zona historike e qytetit, kërkonte inspektim.
Përveç çmimit prej 1 €, blerësit janë përgjegjës për të gjitha shpenzimet përkatëse të noterit, tarifat e regjistrimit dhe taksat kadastrale.
Pastaj vjen edhe puna e rikonstruksionit. Blerësit duhet të mbulojnë gjithashtu kostot e hartimit të projektit të pronës dhe të sigurojnë që ajo të jetë në përputhje me standardet e sigurisë, rregulloret për mbrojtjen e peizazhit dhe planifikimin urban. Gjithashtu, ka të ngjarë të ketë një afat brenda të cilit duhet të përfundojnë të gjitha punimet.
Pavarësisht nëse keni 1 € për të investuar në një pronë apo thjesht kërkoni të udhëtoni jashtë rrugëve turistike të zakonshme të Italisë, Naro është një qytet i veçantë i brendësisë së ishullit, i pasur me histori, arkitekturë dhe hijeshi siçiliane.
Pas një rrëshqitjeje dheu në vitin 2005, artistë të rinj punuan në fasadat e disa ndërtesave të rrënuara të lagjes, duke krijuar MAN-in, një muze në ajër të hapur, nëpër të cilin mund të shëtisni.
Naro ka ruajtur gjithashtu Portën e Artë, e njohur në vend si Porta d’Oro, historia e së cilës daton që në shekullin XIII. Struktura e lashtë, me një hark të mprehtë dhe bedenat prej guri, dikur ishte pjesë e një rrjeti prej shtatë portash hyrëse që rrethonin qytetin gjatë periudhës mesjetare.
Ashtu si në pjesë të tjera të Siçilisë, edhe në Naro mund të shijoni lehtësisht specialitete lokale, përfshirë kasatën, një ëmbëlsirë siçiliane me pandispanjë të butë, krem rikote dhe copa çokollate, si dhe pasta reale, një masë e ëmbël lokale e përgatitur me bajame të bluara imët, e aromatizuar me vanilje dhe e zbukuruar me fruta të sheqerosura.
Kjo ëmbëlsirë e ka origjinën në Palermon arabe, ndërsa emri i saj rrjedh nga një term arab që nënkuptonte një enë të madhe ku përzihej mbushja me djathë kremoz dhe sheqer.
Edhe ushqimet e njohura të rrugës, si arancina, një topth orizi i skuqur me mbushje, dhe kanolët, gjenden lehtësisht në Naro. Megjithatë, qyteti ka edhe varietete lokale të këtyre ushqimeve që nuk gjenden askund tjetër. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
