Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) pritet të kalojë në një fazë të re zhvillimi institucional, përmes shndërrimit të saj në një Agjenci të Shërbimeve Arsimore (ASHA), si pjesë e një reforme më të gjerë për përmirësimin e cilësisë së vlerësimit dhe menaxhimit të proceseve arsimore në Shqipëri.
Sipas relacionit të projektligjit për krijimin e Agjencisë, i nxjerrë për konsultim publik, qëllimi kryesor është që kjo strukturë të shndërrohet në një institucion lider në rajon dhe më gjerë në fushën e vlerësimit arsimor, duke synuar certifikimin ISO9001 dhe modernizimin e plotë të proceseve, përfshirë Maturën Shtetërore, testimet kombëtare dhe njohjen e diplomave të huaja.
Ekspertët vlerësojnë se aktualisht QSHA pengohet nga burokracia, duke ndikuar negativisht në procese të rëndësishme si matrikullimi i studentëve apo njohja e diplomave të huaja. Shndërrimi në agjenci do ta çlirojë atë nga ndikimi i drejtpërdrejtë institucional dhe do t’i japë mundësinë të zhvillojë struktura fleksibile, të pavarura dhe të qëndrueshme financiarisht.
Aktualisht, QSHA financohet pjesërisht nga Ministria e Arsimit për procesin e Maturës dhe vlerësimet në arsimin 9-vjeçar, ndërsa pjesa tjetër e buxhetit mbulohet nga të ardhurat e veta. Si një person juridik publik, Agjencia do të ketë personalitet juridik, pavarësi pasurore dhe përgjegjësi të qarta financiare.
Objektivat e propozuara për ASHA-n përfshijnë një strategji të re afatgjatë për vlerësimin arsimor, ngritjen e kapaciteteve të brendshme për kërkime shkencore mbi politikat arsimore, digjiitalizimin e vlerësimeve, si dhe ndërtimin e një sistemi të integruar kombëtar të të dhënave. Agjencia pritet të luajë një rol kyç në përdorimin e analizës statistikore për të përmirësuar cilësinë e testeve dhe të vetë procesit të vlerësimit.
Një raport i detajuar nga Cambridge Assessment International Education thekson nevojën për rritjen e kapaciteteve psikometrike në hartimin dhe analizimin e testeve, për digjiitalizimin e plotë të vlerësimeve dhe për eliminimin e vonesave në njohjen e diplomave ndërkombëtare. Raporti rekomandon gjithashtu një reformë të thellë në formatin e testimeve, përfshirë vlerësimin elektronik të pyetjeve, standardizimin e pikëzimit, dhe përdorimin e listave të kontrollit për sigurimin e cilësisë.
Me strukturën e re, pritet që ASHA të veprojë si një institucion më efikas, më i përgjegjshëm dhe më i aftë për të përballuar sfidat e një sistemi arsimor modern dhe të integruar në standardet evropiane./ekofin.al
