Kategorisë së subjekteve që përfitojnë mbrojtje dhe sigurim të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor do t’i shtohen edhe nxënësit punëmarrës.
Më herët Qeveria kishte vendosur që nxënësit praktikantë që mësojnë një profesion të marrin një pagesë për punën e kryer.
Tashmë, nxënësit punëmarrës, që ndjekin arsimin dhe formimin profesional në formën e dyfishtë dhe që nënshkruajnë një kontratë pune për mësimin e profesionit, me pagesë mujore, do të futen në skemën e pagesës së kontributeve. Pagesa do të kryhet nga punëdhënësi në nivelin minimal, vetëm për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, për kohëzgjatjen e kontratës.
Kontributi i detyrueshëm për aksidente në punë dhe sëmundjet profesionale është në vlerën 0.3% të pagës bruto minimale në shkallë vendi dhe përballohet nga kompania trajnuese për arsimin e dyfishtë. /ekofin.al
