Qeveria parashikon të hapë një faqe të re në menaxhimin e borxhit publik përmes prezantimit të Obligacioneve Qeveritare për Individë, një instrument i ri financiar që synon të rrisë përfshirjen e qytetarëve në financimin e shtetit dhe të nxisë kulturën e kursimeve afatgjata.
Në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025–2029, ky instrument shihet si një hap i rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të financimit dhe reduktimit të varësisë nga tregjet institucionale dhe burimet e huaja. Obligacionet për individë pritet të ofrojnë norma interesi të pozicionuara ndërmjet depozitave bankare dhe titujve standardë të qeverisë, duke i bërë ato tërheqëse për qytetarët, por gjithashtu duke ruajtur ekuilibrin fiskal.
Sipas Ministrisë së Financave, avantazhet kryesore të këtij instrumenti janë diversifikimi i financimit: redukton varësinë nga huamarrja institucionale dhe emetimet e mëdha ndërkombëtare; zgjerimi i bazës së investitorëve, i cili rrit pjesëmarrjen e individëve në tregun e borxhit të brendshëm; stabilitet më i lartë: investitorët individualë kanë prirje të mbajnë obligacionet deri në maturim, duke ulur rrezikun e luhatjeve në treg, si dhe nxitja e kulturës së kursimit, e cila rrit ndërgjegjësimin financiar të qytetarëve dhe promovon investimet e sigurta.
Obligacionet për individë mund të ndihmojnë në reduktimin e riskut të rifinancimit, duke shpërndarë maturimet dhe duke ulur presionin mbi buxhetin në periudha të caktuara. Njëkohësisht, ato forcojnë tregun vendas të borxhit dhe përmirësojnë qëndrueshmërinë fiskale.
Në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, tregu i brendshëm do të mbetet burimi kryesor i financimit, përmes bonove të thesarit dhe obligacioneve. Bankat pritet të vijojnë të jenë investitori kryesor, por qeveria llogarit gjithashtu tek institucionet jo-financiare, individët dhe investitorët jo-rezident për të zgjeruar tregun e titujve.
Ndërkohë, burimet e huaja të financimit do të përdoren si plotësues, për të siguruar kosto më të favorshme dhe për të financuar projekte zhvillimore. Këtu përfshihen hua me terma të butë nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe partnerët dypalësh, si edhe përdorimi i tregjeve të kapitalit mbi baza oportuniste, kryesisht për menaxhimin e borxhit në valutë.
Me këtë strategji të re, qeveria synon jo vetëm të menaxhojë në mënyrë më të qëndrueshme borxhin publik, por edhe të krijojë një urë të re bashkëpunimi mes shtetit dhe qytetarëve, ku kursimet individuale mund të kthehen në investime për zhvillimin e vendit. /ekofin.al


