Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar “Raportin e Gjendjes në Mjedis 2025”, ku analizohet gjendja e ajrit, ujërave, tokës, pyjeve, biodiversitetit, mbetjeve dhe ndryshimeve klimatike në Shqipëri.
Një nga gjetjet më të rëndësishme lidhet me cilësinë e ajrit, ku ndonëse disa tregues paraqesin përmirësim, në disa zona vijojnë të regjistrohen tejkalime të kufijve të lejuar për ndotësit kryesorë.
Për grimcat PM10, monitorimi i periudhës korrik-dhjetor 2025 evidenton tejkalim të normës vjetore në dy stacione monitorimi: Tirana Higjena dhe Elbasani. Në Tiranë është regjistruar një mesatare prej 57.66 μg/m³, ose 44% mbi normën e lejuar, ndërsa në Elbasan 59.72 μg/m³, rreth 49% mbi kufirin vjetor. Tirana Higjena regjistroi gjithashtu 33 ditë me tejkalim të normës ditore të PM10, shumë pranë kufirit maksimal prej 35 ditësh të lejuara në vit.
Situata paraqitet më pozitive për grimcat PM2.5, pasi raporti konstaton se nuk është regjistruar asnjë tejkalim i normës vjetore në stacionet e monitorimit, megjithëse Korça rezulton shumë pranë kufirit të lejuar.
Sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), tejkalimi i vetëm i normës vjetore është konstatuar në Elbasan, ku vlera mesatare arriti në 40.18 μg/m³.
Raporti evidenton se për dioksidin e squfurit (SO₂) nuk janë konstatuar tejkalime të kufijve ditorë apo orarë në asnjë prej stacioneve të monitorimit, çka tregon një situatë më të qëndrueshme për këtë ndotës.
Ndërkohë, për ozonin (O₃), situata është më problematike. Tejkalime të normës 8-orëshe janë regjistruar në Fier, Korçë, Shkodër, Tiranë Higjena dhe Tirana Mobile, ndërsa Durrësi dhe Elbasani nuk kanë shfaqur tejkalime. Vlera më e lartë është regjistruar në Fier, me 156.34 μg/m³.
Edhe monoksidi i karbonit (CO) ka regjistruar një tejkalim, por vetëm në Fier, ku vlera maksimale arriti në 10.93 mg/m³. Në Korçë nuk pati tejkalim, por raporti evidenton një rritje të ndjeshme gjatë muajit dhjetor, e lidhur me përdorimin e lëndëve djegëse për ngrohje. Për benzenin, në asnjë stacion nuk janë konstatuar tejkalime të normës vjetore.
Raporti mbështetet në monitorimin e realizuar nga një rrjet prej nëntë stacionesh automatike dhe gjysmëautomatike në qytetet kryesore të vendit, të cilat matin parametrat kryesorë të cilësisë së ajrit, si PM10, PM2.5, SO₂, NO₂, O₃, CO dhe benzenin, si edhe treguesit meteorologjikë. /ekofin.al

