Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton kriteret, procedurat dhe metodologjinë e pikëzimit për dhënien e licencave për bastet sportive online.
Sipas vendimit, licencat do të jepen përmes një procedure konkurruese me një fazë, ku subjektet aplikojnë duke paraqitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Numri i licencave në nivel kombëtar do të jetë i kufizuar, me një tavan maksimal prej 10 operatorësh që mund të ushtrojnë aktivitetin.
Si do të vlerësohen operatorët
Vendimi parashikon një sistem pikëzimi me total 100 pikë, ku pesha kryesore i jepet ofertës ekonomike dhe përvojës në treg. Konkretisht:
• 30 pikë për ofertën ekonomike (tarifa e licencimit),
• 30 pikë për përvojën në fushën e lojërave të fatit,
• 20 pikë për kapacitetet organizative dhe administrative,
• 15 pikë për kapacitetet teknologjike dhe sistemet software,
• 5 pikë për planin e biznesit.
Subjekti që merr më shumë pikë renditet i pari dhe shpallet fitues, ndërsa në rast barazimi parashikohet hedhja e shortit.
Kush mund të aplikojë dhe si zhvillohet procedura
Aplikimet lejohen vetëm për shoqëri aksionare, ndërsa subjektet duhet të paguajnë një tarifë aplikimi prej 500 mijë lekësh, e pakthyeshme. Dosja duhet të dorëzohet brenda 45 ditëve nga shpallja e garës dhe të përmbajë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe teknik.
Procesi i përzgjedhjes administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Komisioni i Licencave, të cilët verifikojnë dokumentacionin, vlerësojnë aplikimet dhe hartojnë renditjen përfundimtare.
Transparencë, ankesa dhe garanci financiare
Projektvendimi parashikon publikimin e plotë të procedurës dhe rezultateve, si dhe të drejtën e ankimit nga subjektet pjesëmarrëse brenda 10 ditëve nga shpallja e fituesit. Ankesa shqyrtohet nga ministri i Financave përmes një komisioni të posaçëm.
Licenca jepet vetëm pasi subjekti fitues të plotësojë edhe kriterin e fondit të garancisë, ndërsa çdo hap i procedurës duhet të dokumentohet dhe të jetë i monitorueshëm.
Fokus te kontrolli dhe standardet teknologjike
Vendimi vë theksin mbi sigurinë teknologjike dhe integrimin me sistemet e monitorimit, përfshirë kërkesat për mbrojtjen e të dhënave, sigurinë kibernetike dhe aksesin në kohë reale për autoritetet mbikëqyrëse./ekofin.al

