Qeveria ka miratuar një listë me 14 kategori veprimtarish që do të konsiderohen të rrezikshme për mjedisin, duke përfshirë instalacionet me leje mjedisi të tipit A, menaxhimin dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme, shkarkimet në ujë dhe ajër, përdorimin e substancave të rrezikshme, si edhe aktivitetet që lidhen me mbetjet minerare dhe depozitimin gjeologjik të dioksidit të karbonit.
Vendimi i datës 2 shtator 2026 përcakton se në këtë kategori hyjnë veprimtaritë ekonomike ose profesionale që, për shkak të natyrës, përmasave, teknologjisë apo substancave që përdorin, paraqesin rrezik të lartë për dëme mjedisore dhe sjellin përgjegjësi mjedisore sipas legjislacionit në fuqi.
Sipas vendimit, dëmet që merren në konsideratë përfshijnë dëmtimin e burimeve natyrore, ndotjen e ujërave, tokës dhe ajrit, dëmtimin e biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura, si dhe rrezikun për shëndetin e njeriut.
Në krye të listës janë të gjitha instalimet që pajisen me leje mjedisi të tipit A, përfshirë edhe instalimet ose pjesët e tyre që përdoren për kërkim, zhvillim dhe testim të produkteve apo proceseve të reja.
Një pjesë e rëndësishme e listës lidhet me sektorin e mbetjeve. Të rrezikshme konsiderohen aktivitetet e grumbullimit, transportit, rikuperimit dhe asgjësimit të mbetjeve dhe mbetjeve të rrezikshme, si edhe funksionimi i landfilleve dhe impianteve të incinerimit apo bashkincinerimit, kur ato përfshihen në kategoritë përkatëse të legjislacionit.
Megjithatë, vendimi bën një përjashtim për veprimtaritë e trajtimit të mbetjeve të ngurta bashkiake jo të rrezikshme, kur ato trajtohen sipas standardeve të miratuara dhe akteve nënligjore që synojnë përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian.
Lista përfshin gjithashtu instalimet dhe aktivitetet që kanë shkarkime në ujërat sipërfaqësore ose nëntokësore, si dhe shkarkimin ose injektimin e ndotësve në këto ujëra kur kërkohet leje apo autorizim. Në të njëjtën kategori hyjnë edhe nxjerrja e ujit dhe krijimi i rezervuarëve që kërkojnë leje.
Kimikatet, pesticidet dhe transporti i mallrave të rrezikshme në listë
Si veprimtari të rrezikshme për mjedisin klasifikohen edhe aktivitetet industriale, tregtare ose bujqësore që përfshijnë prodhimin, përdorimin, ruajtjen, përpunimin, mbushjen, lëshimin në mjedis dhe transportin brenda vendit të substancave dhe produkteve të rrezikshme.
Këtu përfshihen substancat dhe përzierjet e rrezikshme, produktet për mbrojtjen e bimëve, përfshirë produktet fitosanitare, si dhe produktet biocide.
Në listë futet gjithashtu transporti rrugor, hekurudhor, detar, lumor dhe ajror i mallrave të rrezikshme ose ndotëse, si dhe instalimet industriale që shkarkojnë substanca ndotëse në ajër dhe kërkojnë leje mjedisore.
Veprimtaritë që përfshijnë përdorimin dhe transportin e mikroorganizmave të modifikuar gjenetikisht, si dhe lëshimin e qëllimshëm në mjedis apo nxjerrjen në treg të organizmave të modifikuar gjenetikisht, janë gjithashtu pjesë e kategorive të përcaktuara nga qeveria.
Lista mbyllet me transportin ndërkufitar të mbetjeve, përfshirë eksportin, importin dhe tranzitin, menaxhimin e mbetjeve nga industria nxjerrëse, si dhe aktivitetet që lidhen me kapjen dhe depozitimin gjeologjik të dioksidit të karbonit (CO₂). /ekofin.al

